Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për vdekjen e skulptorit Luan Mulliqi.
Krasniqi ka thënë se krijimtaria e Mulliqit është trashëgimia që ai e la pas për ta mbajtur të gjallë emrin e tij.
“Më pikëlloi shumë lajmi për ndarjen nga jeta të skulptorit tonë të shquar, Akademikut Luan Mulliqi!
Mjeshtri na la, por krijimtaria e tij e bujshme artistike është trashëgimia që ai e la pas për ta mbajtur të gjallë emrin e tij. Veprat monumentale, si bustet e shtatoret e Nënës Terezë, Ismail Qemalit, Madeleine Albright, Fehmi Aganit, Bob Dole, e shumë vepra të tjera të gdhendura nga duart e Luan Mulliqit, shpërfaqin më së miri shembullin se si një artist i këtyre përmasave jeton përherë përmes artit të tij.
Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Luan Mulliqit për këtë humbje të madhe.
Shpirti i tij u prehtë në paqe”, ka shkruar ai.
/TV Malisheva