Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ngushëlluar familjen Mulliqi, pas vdekjes së skulptorit Luan Mulliqi.
Kurti ka shkruar se “pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas”.
“Shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, iu kishte ngulitur aq thellë në mendje një skulpturë e Nënës Terezë sa edhe pati shkruar: “Nënë Tereza e Mulliqit ka një metaforë të rrallë që duke shpërthyer nga toka dëshmon për vërtetësinë e shenjtores sonë.” Luan Mulliqi ka ndërruar jetë. Si veprat, edhe emri i tij, jehon gjithandej. Pafund janë vendet në të cilat ka ekspozuar e ku veprat e tij janë të koleksionuara, njësoj sikur pafund janë punët që la pas”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar se një artist me shije të hollë e me dije të gjerë nga sot nuk është më në mesin tonë.
“Mungesën do t’ia ndjejmë përherë më shumë, por, Luanin do ta shohim në qytet nëpërmjet punës së tij. Artisti nuk shuhet, sepse vepra e tij jeton. Ngushëllime familjes, miqëve, kolegëve e studentëve të tij! Ngushëllime të gjithë neve”.
Ndryshe, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka bërë të ditur se dje ka vdekur skulptori Luan Mulliqi.
I ndjeri ka qenë anëtar korrespodent, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave dhe i Arteve të Kosovës.
/TV Malisheva