Shifrat nga INSTAT tregojnë se në tre vite mallrat që janë dërguar në Kosovë janë rritur me 13% në vlerë, kjo vetëm për periudhën e nëntëmujorit.

Grupi me rritjen më të fortë në tregtinë me Kosovën është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve. Grupi i dytë është lëndët djegëse, mineralet dhe energjia elektrike. Por, një rritje të fortë ka pësuar edhe grupi i ushqimeve në 9 muajt e fundit duke kaluar i dyti në rend për këtë vit.

Ekspertët shprehen se kjo ka ardhur nga një sërë faktorësh.

“Operatorët që punojnë në treg më kanë thënë se janë orientuar drejt tregjeve që kanë fizibiltiet të lartë. Pra në tregun e Kosovës ka mundësi të blesh dhe të shesësh me fitim më të lartë. Kosova gjithashtu ka shumë nevojë sepse ka pasur një bllokim të ndjeshëm të produkteve që vinin nga Serbia dhe sigurisht do të plotësohej nga Shqipëria dhe siç e thashë orientimi i biznesit është i tillë që të gjejnë kohën dhe hapësirën e duhur për të përfituar nga tregjet që kanë nevojë për produktet që prodhohen në Shqipëri”, tha Bardh Sejdarasi, gazetar ekonomie.

Ndërkohë, një tjetër partner tregtar i rëndësishëm për vendin në tre vitet e fundit është bërë edhe Kina, nga e cila marrim 70 miliardë lekë mallra, gati 32% më shumë se në 2021-in. Nga krahu tjetër edhe dërgojmë gati 8% më shumë, kryesisht lëndë të parë

“Ne i kemi tregjet e përcaktuara sa i përket eksporteve shqiptare nga produktet që kemi. Mineralet dhe nafta kanë mundësi të shiten jashtë Europës, në Euroazi edhe me radhë dhe kjo është një lëvizje që orientohet nga bursat e tregut, ajo e hekurit apo mineraleve”, shtoi Sejdarasi.

Për periudhën e nëntëmujorit eksportet ranë me 9%. Kjo ka ardhur si pasojë e zhvlerësimit të euros, uljes së çmimeve në tregjet e huaja për lëndët e para si dhe rënia e kërkesës nga Europa. Eksportet shqiptare vuajnë edhe nga mungesa e diversifikimit, pasi kryesisht vendi dërgon lëndë të parë dhe jo mallra të përpunuar./tch/

/TV Malisheva

Share.