Driton Hetemi është emëruar Drejtor Menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) pa qenë fare në listën e “kandidatëve të emërueshëm” të Ambasadës Britanike.

Ekspertët britanikë kishin rekomanduar dy kandidatë tjerë për këtë pozitë, por Komisioni Përzgjedhës, në krye më Alban Nevzatin, në fund vendosi për Hetemin.

Buletini Ekonomik ka gjetur se Nevzati, i cili aktualisht mban pozitën e anëtarit të Bordit në FKEE, ka qenë punëdhënësi i Hetemit në një kompani private për vite me radhë. Ata kanë miqësi edhe para “vendtakimit” të punës në FKEE.

Të dy së bashku kanë pasur pozita të larta në kompaninë SWINTO, kompani private kjo e cila merret kryesisht me shërbime financiare.

Mirëpo, kjo nuk qenë pengesë për Nevzatin që ta intervistojë në cilësinë e Kryesuesit të Komisionit, ish-punëtorin e tij.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, në nenin 5, flet për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarit, e që tregon qartë se duhet të shmanget konflikti i interesit edhe atëherë ku ai është vetëm i mundshëm apo në dukje: “Zyrtari duhet të shmangë konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, i mundshëm, apo në dukje.”

Buletini Ekonomik ka drejtuar pyetje tek Nevzati e Hetemi për t’i pyetur për mundësinë e konfliktit të interesit dhe pse nuk kanë ndërmarrë veprime për shmangien e konfliktit të mundshëm të interesit.

Në një përgjigje përmes emailit zyrtar të Fondit për Efiçiencë thuhet se këtu nuk bëhet fjalë për konflikt të interesit, për faktin se tashmë të dy të përmendurit nuk punojnë më në kompaninë Swinto. Por pranojnë se në Swinto, Nevzati ka qënë punëdhënës, ndërsa Hetemi punëmarrës.

“Ju informojmë se Alban Nevzati nuk është pjesë e kompanisë “Swinto” që nga muaji shkurt i këtij viti, kur edhe është shkëputur nga të gjitha rolet atje (pronësore dhe mbikqyrëse). Rrjedhimisht, nuk kemi të bëjmë me konflikt interesi gjatë procesit të rekrutimit për pozitën e Drejtorit Menaxhues të FKEE-së, me asnjë kandidat”, kanë thënë nga FKEE.

Mandati i Hetemit si Drejtor Menaxhues në FKEE do të jetë tre vjeçar.

/TV Malisheva

Share.