Është bërë praktikë që kohë pas kohë emisarët perëndimorë të ngarkuar për dialogun Kosovë- Serbi ta vizitojnë së bashku si Kosovën ashtu edhe Serbinë në përpjekjet e tyre për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Kështu, ndodhi edhe me 21 tetor kur ishin së bashku për vizitë i dërguari i BE-së për dialog Miroslav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Gabriel Escobar dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo. Pra këta të fundit, siç dihet janë të emëruar të posaçëm nga qeveritë e shteteve përkatëse për këtë proces.
Mirëpo, krahas zyrtarëve të sipër cekur edhe Britania e Madhe e ka një të deleguar që e mbulon këtë temë. Diplomati dhe ish-ushtaraku Stuart Peach është i dërguar i posaçëm i Kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Deri më tani edhe i deleguari i Londrës ka mbrojtur publikisht qëndrime të përafërta me ato të emisarëve tjerë. Nuk ka shfaqur dallime dhe mos pajtime me këta të fundit. Ka pohuar se zyrtarisht Britania e Madhe “e dënon sulmin e grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator si një incident shumë serioz dhe kërkon hetime të plota për të përcaktuar përgjegjësinë. Po ashtu ka shtuar se “Londra mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të çojë në një formë normalizimi sa më shpejt”. Si dhe ka theksuar “se qëndrimi i Britanisë së Madhe nuk është krijimi i një Republika Srpska tjetër në Kosovë, por i një asociacioni që merr parasysh interesat e të gjitha palëve dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Megjithatë, është interesant se deri më tani sa herë që zyrtari britanik e ka vizituar rajonin nuk ka qenë pjesë e pesëshes diplomatike. A tregon simbolikisht ky veçim i tij nga kori i emisarëve tjerë edhe për përçarje më të thella në prapaskene ndërmjet Britanisë, SHBA-së dhe BE-së për mënyrën se si është menaxhuar kohën e fundit procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe projekti i normalizimit ndërmjet dy vendeve? Apo gjithçka është rastësi?
Këtu duhet kujtuar se dialogu ndërmjet Kosës dhe Serbisë i nisur para më shumë se një dekade ishte drejtuar nga baronesha Catherine Ashton, e cila atëbotë ishte Përfaqësuese për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së. Gjatë mandatit të saj në vitin 2013 ishte nënshkruar Marrëveshja e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bazë të së cilës është paraparë edhe krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, me daljen e Britanisë nga blloku evropian pas BREX-it, kjo është hera e parë që ky shtet e emëron të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor.
/TV Malisheva