Drejtori i Institutit “Octopus”, Agim Musliu një muaj pas sulmit terrorist në veri, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq vetëm e ka ndryshuar lidershipin në Listën Serbe.

Musliu në reagimin e bërë në platformën “X”, ka shkruar se Vuçiqi vetëm i ka ndërruar dorëzat e duarve dhe ka veshur të reja.

“Një muaj pas sulmit në Banjskë, ja ku jemi. Lista Serbe, shtrirja kriminale e Vuçiqit në Kosovë, nën presionin e madh publik, “zgjodhi” sot lidershipin e ri. Realiteti është se Vuçiq vetëm i ndërroi dorëzat e duarve dhe i veshi ato të reja”, thotë ai.

Ndryshe, Lista Serbe ka mbajtur kuvendin zgjedhor, ku ka zgjedhur si kryetar të ri, Zllatan Ellek. Ellek është ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në veri të Mitrovicës.

Në kuvend u zgjodhën edhe pesë nënkryetarë të partisë.

Ata janë: Dragisha Milloviq, zëvendësdrejtor i spitalit në veri të Mitrovicës, Ivan Zaporozhac, kryetar i Komunës paralele serbe në Mitrovicën e Veriut, Tanja Vujoviq, dekane e Fakultetit Ekonomik, dhe Dragana Antonijeviq, ish-deputete në Kuvendin e Kosovës dhe drejtoreshë e Qendrës së Studentëve në Mitrovicën e Veriut.

/TV Malisheva

Share.