Për herë të pestë ka dështuar të konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet e abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, kjo për shkak mungesës së mazhorancës.
Kryesuesi i këtij komisioni, Rashit Qalaj si dhe anëtarët e këtij komisioni kritikuan partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për mos konstituimin e saj.
Qalaj nga PDK-ja ritheksoi se mungesa e pozitës po i shton dyshimet për keqpërdorime edhe më shumë.
“Me të vërtetë është shqetësuese, që një parti është thirrur vazhdimit në sundimin e ligjit dhe të drejtën, bllokon inicitiavat siç është kjo e Komisionit hetimor e cila ka mandat hetimin e një cështje shumë të rëndësishme, dhe e cila është duke i preokupuar të gjithë qytetarët e Kosovës. E ky hetim e dini që është për furnizimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet në rezerva shtetërore. Mungesa e deputeteve nga LVV i shton këto dyshime edhe më shumë, që ata nuk vijnë në këtë komision për shkak se ata nuk vinë në komision, pasi i frikësohen publikimit dhe daljes në publik të keqpërdorimeve që janë me rezervat shtetërore… Ne do të vazhdojmë edhe me tutje të bëjmë përpjekje për konstituimin e këtij komisioni. Sot një javë e kemi dërguar një shkresë tek Zyra ligjore për të marr një interpretim se si do të vazhdohet…”, tha Qalaj.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i “lëshojë nxënësit të vijnë në mësim”.
Sipas saj, kryeministri Kurti po urdhëron deputetët të mos marrin pjesë në konstituimin e këtij komisioni.
“Është hera pestë që po ftohet komisioni dhe tashmë është e kjartë që ata nuk po duan të marrin pjesë në këtë komision për të zbardhë të vërtetën, sepse nëse janë të pafajshëm duhet të marrin pjesë dhe të ballafaqohen me gjitha kërkesat që ka opozita…Unë jam e bindur që me secilin anëtar të VV-së të ndërrohen, ata nuk kanë me ardhë me marrë pjesë këtu, sepse janë nxënës të mirë dhe të dëgjueshëm të Albin Kurtit. Kjo mospjesëmarrje është me urdhër të Albin Kurtit. I kisha bo ftesë Albin Kurtit, me i lëshua nxënësat me marr pjesë në orë të mësimit”, tha Bunjaku.
Ankesa ndaj partisë në pushtet pati edhe deputeti nga radhët e AAK, Pal Lekaj.
“Po shihet qartë që ata nuk do të vinë dhe në çdo mënyrë do të mundohen ta pengojnë këtë komision hetimor. Po shihet qartë se ata fare nuk iu intereson interesi publik, por ai partiak. Na kanë mbyt duke thënë se keni pas korrupsion, keqpërdorime, abuzime për 20 vite dhe tani po shihni që vet janë për t’i mbrojtur keqpërdorimet, abuzimet e vjedhjet, çfarë kanë ndryshuar, parimet apo mënyra se si në mënyrë perfektë të vidhet qytetari e shteti”, tha Lekaj.
Ndërkaq, takimi i radhës është vendosur të mbahet enjten nga ora 09:30.
Ndryshe, formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore është iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas dyshimeve për abuzime të mundshme.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audio-incizimeve për rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.
/TV Malisheva