Si rezultat i takimit të pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë që zhvilluan në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor dhe shkëmbimeve që kanë pasur me palët, Bashkimi Evropian tha se ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Blloku evropian tha se pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.
Këto deklarata i bëri zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili konfirmoi se blloku ka ftuar në Bruksel të enjten, më 26 tetor, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur do të mbahet samiti i BE-së.
“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano. /REL/
/TV Malisheva