Sot janë bërë një muaj nga sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nga i cili mbet i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Lidhur me këtë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka thënë se më këtë sulm, Serbia rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin tonë as nuk i ka zbehur as nuk i ka harruar.
“Ky sulm i realizuar nga grupe të trajnuara e të armatosura rëndë nga Serbia, mori jetën e Rreshter Afrim Bunjakut dhe kishte për qëllim të realizonte atë që Rusia bëri në Donbas, aneksimin e veriut të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.
“Të gjitha faktet që dëshmojnë përfshirjen e plotë të Serbisë në këtë sulm terrorist i kemi ofruar për qytetarët tanë e për opinionin ndërkombëtar. Me këtë sulm, Serbia rikonfirmoi që ambiciet e saj për territorin tonë as nuk i ka zbehur as nuk i ka harruar që nga koha e kasapit të Ballkanit Millosheviq”, vijoi ai.
Sveçla tha se me lirimin e Radoiçiqit, Serbia tregoi se sponsorizon terrorizmin.
“Lideri i sulmit të 24 shtatorit, kryekrimineli dhe bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit të Serbisë, Milan Radoiçiq, edhe pasi pranoi pjesëmarrjen dhe udhëheqjen e sulmit pas publikimit të dëshmive tona, u lirua menjëherë nga autoritetet e Serbisë dhe ka refuzim të dorëzimit të tij tek autoritetet tona të drejtësisë. Për më keq, Serbia shpalli tre ditë zie për tre terroristët që u neutralizuan nga zyrtarët tanë policor gjatë ballafaqimit të armatosur. Këto fakte dhe jo vetëm, dëshmojnë fuqishëm që Serbia sponsorizon me të gjitha kapacitetet e saj terrorizmin në rajon”.
Ministri i Brendshëm thotë se pa ndëshkimin e Serbisë për atë ngjarje, nuk mund të ketë paqe në të ardhmen.
“Me 24 shtator Republika jonë triumfoi kundër terrorit të Serbisë. Pa sanksionimin e Serbisë dhe ndëshkimin e 24 shtatorit e ardhmja nuk është e përcaktuar qartë për paqe dhe demokraci në rajon. Pa sanksionim të Serbisë në fakt stimulohen akte të tilla që cenojnë integritetin e shteteve fqinje”.
“Heroi Afrim Bunjaku me rënien e tij në ballafaqim me grupet terroriste mbrojti vendin tonë e qytetarët tanë si dhe shpërfaqi kriminalitetin e terrorizmin e sponsorizuar nga Serbia që e kemi thënë prej kohësh”, ka përfunduar Sveçla.
/TV Malisheva