Oda Ekonomike në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës organizuan hapjen solemne të Panairit të Produkteve Bujqësore dhe Agroindustriale “Prishtina 2023”.

Ceremonia e hapjes solemne të Panairit u bë sot më 25 Tetor 2023, në ora 11:00, në qendër të qytetit.

Në këtë organizim u vu në theks rëndësia e promovimit të produkteve vendore, derisa u bë thirrje për përkrahjen e tyre.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se ky panair ka rëndësi jo vetëm për vendin por edhe për rajonin, meqë sipas tij ka relevancë ekonomike, strategjike, integruese dhe sociale, kështu duke përmirësuar imazhin e Kosovës.

Ndërkaq, nënkryetari i kryeqytetit, Alban Zogaj u shpreh se ky panair do të sjellë atmosferë në Prishtinë, derisa shtoi se i njëjti do të jetë ‘një shesh i talentit tonë të krijimit dhe pasionit të prodhimeve vendore’.

Ai u bëri thirrje qytetarëve ta vizitojnë panairin duke potencuar se “çdo blerje e prodhimit vendor është fuqizim i ekonomisë vendore”.

Në kuadër të këtij panairi, persona të shumtë që merren me bujqësi dhe veprimtari të tjera promovuan punën dhe krijimtarinë e tyre, derisa thonë se pavarësisht vështirësive, këtë punë e bëjnë me qejf.

Promovimi i veshjeve kombëtare, verërave, artizanaleve të drurit, pemëve e perimeve të freskëta, gështenjave, arrave, turshive, punimeve të drurit janë vetëm disa prej atyre se çka përmban ky panair, i cili do të vazhdojë në tri ditët në vijim.

/TV Malisheva

Share.