Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).
Shkarkimi i anëtarëve sipas procedurave të Kuvendi u bë veç e veve, dhe për shkarkimin e tyre votuan për 62 deputetë, ndërsa për këtë rekomandim ka abstenuar kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Arsyet e këtij shkarkimi i ka paraqitur deputeti i VV-së, Armend Muja. Muja para deputetëve tha se anëtarët Gani Maliqi, Gani Krasniqi, Rrezarta Plakolli dhe kryesuesja Selvete Grajqevci-Pllana e kanë shkelur ligjin e Komisioni andaj kërkoi që ata të shkarkohen.
Muja po ashtu kërkoi që edhe vendimet e këtij Bordi të shpallen të paligjshme dhe të kthehen në rivendosje.
Shkarkimi i këtij bordi u kundërshtua fuqishëm nga opozita, pasi sipas tyre shkarkimi erdhi pasi anëtarët nuk i kanë dëgjuar urdhrat e Qeverisë.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, gjatë debatit paralementar në Kuvend, vlerësoi që shkarkimi i këtij Bordi është i jashtëligjshëm.
“Sa i përket shkarkimit të këtij bordi, debat kemi pasur edhe më herët. Fillimisht keni sjellë shkarkimin e këtyre anëtarëve dhe keni gabuar proceduralisht. Këtë Bord e keni emëruar vetë dhe tani kërkoni ta shkarkoni. Unë jam e bindur që shkarkimi i këtij bordi është për shkak se s’iu kanë dëgjuar, e jo për shkak të defekteve apo gabimeve që i kanë bërë si bord. Ky shkarkim është i jashtëligjshëm. Ata që po i emëroni e nuk po iu dëgjojnë, po sillini e po i shkarkoni. Kështu që, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk merr pjesë në votim, ju e keni arrogancën e numrave dhe pikërisht këtë po e shfrytëzoni”.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se të gjitha emërimet e bordeve deri më tani, kanë qenë të lidhura ngushtë me nepotizëm.
“Është ky bord që kur është emëruar ka pasur një lavdatë publike për këta persona të cilët sot janë para Kuvendit për shkarkim. Dua ti pyes kolegët e Vetëvendosjes, se cka ka ndryshuar tani. Se paku nuk duhet t’iu hyjnë në hak këtyre njerëzve duke I akuzuar për shkelje. Të gjitha veprimet që kanë ndodhur deri më tash në emërimin e bordeve dhe në emërimin e personave që udhëheqin agjencione të pavarura, janë të lidhura ngushtë me familjarizim e nepotizëm. Andaj, AAK-ja këtë rekomandim dhe vendim e kemi kundërshtuar edhe më herët, por e kundërshtojmë edhe këtu”.
/TV Malisheva