Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të veçantë, me të vetmen pikë të rendit të ditës miratimin e një deklarate në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian, e datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Seanca është caktuar të mbahet në ora 11:00.

Ndryshe, javën e kaluar Parlamenti Evropian (PE) ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës.

Teksti i kësaj rezolute, u hodh në votim në seancën plenare të 19 tetorit, është përpiluar duke marrë parasysh disa propozime të grupeve politike në PE.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës.

Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.

/TV Malisheva

Share.