Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e katërt të grevës dhe gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet shpejt dhe ndjeshëm.
Sipas tij, kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet.
“Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht. Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga Kryeministri, as nga Ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar. Natyrisht që ikin – sepse premtimet e tyre të mëdha dje për Trepçën dhe minatorët, sot po vërtetohet të kenë qenë vetëm mashtrime”, ka shkruar Memli Krasniqi.
Ai ka thënë se fshehja e Qeverisë nuk është zgjidhje.
“E ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që t’u dalin zot premtimeve të tyre ndaj minatorëve dhe të plotësojnë kërkesat që ata kanë. PDK është e gatshme që të jap kontributin e vet në këtë drejtim, andaj nuk do të heshtim para padrejtësive dhe injorimit që po u bëhet kërkesave të minatorëve tanë – heronjve të nëntokës”, ka përfunduar ai.
/TV Malisheva