Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Minierës së Stantërgut, Bujar Jashari, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra të premten, pas mbledhje së Bordit Mbikëqyrës të Minierës së Trepçës, duke hedhur akuza për presion.
Jashari tha se ka qenë skenar i përgatitur që ai të dorëhiqet në takimin e Bordit.
“Pas takimit tim sot me Bordin Mbikëqyrës dhe mospajtushmerisë që kishim, unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit te Stantergut. Më është kërkuar me dhënë dorëheqje dhe unë kam dhënë dorëheqje. Në njëfarë mënyre ka qenë skenari i përgatitur që nëse nuk dha dorëheqje me më shkarku. Por unë kam dhënë dorëheqje brenda atij takimi”, ka thënë Jashari, duke shtuar se takimi ka zgjatur veç 15 minuta, shkruan Koha.net.
Jashari thotë se është akuzuar se nuk po bën përpjekjet e duhura për t’i bindur minatorët të heqin dorë nga greva.
“Jam akuzuar që nuk po bëj përpjekjet e duhura sa duhet me i bind minatorët me heq dorë prej kërkesave të tyre dhe në një mënyrë më kanë kërkuar që me emër të identifikojë minatorët që janë futur në grevë. Se ata janë një numër i madh, pothuajse 700 punëtorë iu kanë bashkëngjit grevës. Nuk kishim pajtueshmëri me Bordin dhe në fund kërkuan dorëheqje time”, ka thënë ai.
/TV Malisheva