Patrik Kurti, nga Mitrovica para një muaji kishte kërcënuar se do të hidhte bombë në xhaminë e këtij qyteti. Ndaj tij është ngritur aktakuzë, dhe ai e ka pranuar fajin duke u dënuar me 6 muaj burgim për nxitje të urrejtjes fetare.
Kurti në një video në “Tiktok” dëgjohej duke thënë se dëshiron që të zhduk sa më shumë mysliman.
Patrik Kurti pretendonte që në ditën e xhumasë ta kryente këtë vepër që të kishte sa më shumë persona brenda.
“Nëse nuk iu zhduki unë nuk hi në burg për një mysliman Tri dardha ia shti në katin e parë. Ia msheli derën për jashtë edhe dytin kat, aty ku mblidhen të xhamia”, ishte shprehur ai.
Sipas Betimit për Drejtësi aktgjykimin dënues është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Mitrovicë nga gjyqtari i rastit, Xhemajl Isufi.
Kurti e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare pasi ishte lexuar aktakuza nga prokurori i shtetit, Muharrem Prekazi.
Me këtë rast, prokurori Prekazi i ka propozuar gjykatës të pranojë pranimin e fajësisë dhe të marrë parasysh si rrethanë lehtësuese me rastin e përcaktimit të dënimit.
Sipas aktakuzës, i dyshuari ka kryer veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mos durimi”, nga neni 141, paragrafi 1 të Kodit Penal.
/TV Malisheva