Fushë Kosova nuk ka arritur më shumë se një barazim përballë Malishevës në kuadër të xhiros së 11-të në Albi Mall Superligë.

Përkundër se dy skuadrat kishin raste shënimi, në fund gola nuk pati dhe ndeshja përfundoi baras 0-0.

Trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala pas ndeshjes ka thënë se ka pritur të marrë fitore në këtë sfidë dhe për këtë nuk është i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij.

“Nuk jam i kënaqur me paraqitjen. Kam pritur ndeshje më të mirë dhe fitore. Gabimet e shumta në mesfushë, në pasime, janë pasojë e gjendjes psikike për shkak të krizës së rezultateve. Jam munduar ta heq presionin nga lojtarët”.

“Megjithatë, jam i kënaqur me një pikë pas asaj që ndodhi në fushë. Këto i ka futbolli. Ne duhet të përmirësohemi. Kemi edhe shumë mungesa, sidomos në fazën e sulmit”.

“Shpresojmë që ata lojtarë të kthehen dhe të luftojmë për objektivat tona. Jam optimist se rezultatet pozitive do të vijnë, optimist isha edhe sot”.

“Pas serisë negative, duhet të ketë edhe seri pozitive. Unë jam optimist për shkak të punës që po bëhet. Neve na mbetet që t’i marrim ndeshjet një nga një”, ka deklaruar Shala.

/TV Malisheva

Share.