Peja vazhdon me fitore në Prince Caffe Superligë. Pejanët kanë triumfuar në derbin në kryeqytet ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 80:95 (25:19, 27:26, 19:20, 9:30).
Në çerekun e parë kryeqytetasit ishin për një nuancë më të mirë, ndërsa verdhezinjtë nuk lejonin shkëputjen e tyre, por një seri prej 5:0 në fund, bëri që të fitojnë këtë pjesë 25:19.
Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë, sidomos ishin të saktë për tri pikë dhe kjo ndihmoi të rritin epërsinë, që shkoi në 11 pikë, 45:34, por më pas pejanët me një seri prej 0:7, afruan rezultatin në 47:43, sidoqoftë, Prishtina sërish në fund ishte më e mirë dhe shkoi në pushim me rezultat 52:45.
Lojë interesante u zhvillua në periodën e tretë, me mysafirët që disa herë afruan shifrat minimalisht, por sërish në fund, gjashtë pikë radhazi nga vendasit bën që rezultati pas 30 minutash të jetë 71:65. Por, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, Peja ishte e jashtëzakonshme, duke bërë përmbysjen në 73:84, e më pas nuk e lëshuan epërsinë për të triumfuar në fund 80:95.