Para rreth 1 jave, qytetarët që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni i Badocit u alarmuan pas një lajmërimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që të mos konsumohet uji.

Në lajmërim thuhej se uji i këtij liqeni kishte sasi të madhe të elementit kimik, ‘mangan’.

Burbuqe Nushi nga IKSHPK-ja në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se elementi kimik, ‘mangani’ gjendet çdo kund.

“Është element që gjendet gjithkah, në tokë, ajër, ushqim, ujë etj. Në anën tjetër është element esencial për rritje dhe zhvillim”, tha Nushi.

Nushi ka treguar se çka ka ndikuar në ngritjen e nivelit të këtij elementi kimik në liqenin e Badocit.

“Temperaturat e larta, ose mos ndërrimi i temperaturave në sipërfaqe dhe në fund të liqenit, për këtë arsye ngritët mangani, mangani 4 valent shndërrohet në 2 valent e i cili bëhet i tretshëm dhe nuk vërehet. Çka është me më rendësi në fazat e trajtimit ai kalon pa kurrfarë problemi se është i tretur dhe koncentrimet më të mëdha dalin në ujin e pijshëm. Por për t’u ndalur në filtra ky element duhet të shndërrohet në 4 valent”, tha Nushi.

Ajo shtoi se nuk është hera e parë që kjo po ndodh sidomos në liqenin e Badovcit.

“Kjo ndodh në çdo vit por kurrë kaq gjatë dhe me vlera kaq të mëdha, ne kemi pirë ujë me këtë element por jo me këto vlera. Ne e kemi pi me 0.5”, thotë Nushi.

Ndryshe më 19 tetor, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje për të gjitha zonat të cilat furnizohen me ujë të pijes nga Liqeni i Badovcit, të mos e konsumojnë ujin.

Kjo pasi në bazë të analizave fiziko-kimike të mostrave të ujit nga uji i prodhuar në fabrikën që furnizohet nga liqeni akumulues i Badovcit, ka dalë se ka vlera të rritura të Manganit.

Përmes një komunikate për media ishte bërë e ditur se IKSHPK-ja ka ngritur shkallën e gatishmërisë dhe kontrollit të cilësisë së ujit për pije në zonën e mbulueshmërisë.

“IKSHPK-ja apelon te qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badovcit që të mos përdoret uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës”, thuhej në njoftim.

/TV Malisheva

Share.