Pas përfundimit të Kryesisë së Kuvendit, shefat e grupeve parlamentare deklaruan se për ditën e premte është caktuar një seancë në të cilën do të raportojë Kryeministri Kurti për temën e dialogut me theks të veçantë, pranimit që i ka bërë draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kërkesa për një raportim të tillë është bërë ekskluzivisht nga partitë opozitarë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja.

Këto parti ka kohë që i kanë bërë thirrje të parit të Qeverisë së Kosovës që urgjentisht t’i informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës si për takimet që ka zhvilluar në Bruksel me liderët kryesorë të shteteve evropiane presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, si dhe përfaqësuesit e Unionit sikurse Shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ashtu edhe për përmbajtjen e Bashkësisë së Komunave.

Mirëpo, në qoftë sesi pushteti ashtu edhe opozita qëndrojnë në të njëjtat pozicione që i kanë aktualisht, ka gjasa që ky raportim të mos zhvillohet fare. Dhe në këtë mënyrë kryeministri ta refuzojë paraqitjen para deputetëve të Kuvendit dhe ta vazhdoje praktiken e deritanishme për të qenë llogaridhënës vetëm ndaj deputetëve të pushtetit.

Një proverb thotë se “djalli qëndron në detaje”. Prandaj, edhe ky mbase mund të jetë arsyeja që pushteti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së partive opozitare, por me kusht që kjo seancë të mbahet të premten, një ditë pasi të zhvillohet seanca ku në rend dite janë shumë pika të cilat kanë mbetur të pa miratuara. E ndër pikat më diskutbaile janë ato që kanë të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtarë, të cilat PDK dhe AAK kanë deklaruar se do t’i mbështes vetëm atëherë kur pushteti pajtohet për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme. Një gjë të tillë e ka përsëritur edhe sot Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ndërkaq, për shkak të kësaj situate ka kohë që është bllokuar puna e Kuvendit. Kryeministri për arsyeje të këtij qëndrimi të partive opozitare për të mos i votuar Marrëveshjet Ndërkombëtare kishte refuzuar t’u përgjigjej në pyetje parlamentare deputetëve të opozitës, duke akuzuar këta fundit për dëmtim të interesave të Kosovës. Madje, ai kishte deklaruar se “të gjithë deputetët që bëjnë pyetje, nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse e kam tashmë të përgatitur.

Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh në pyetjet parlamentare. Nga 377 marrëveshje parlamentare që unë kur isha opozitë, vetëm tri prej tyre nuk janë votuar. Rrjedhimisht atëherë kur do të jeni deputete e Kuvendit të Kosovës, atëherë unë do të përgjigjem në pyetje parlamentare. Nuk mund t’i bësh pyetje kryeministrit, dhe ta dëmtosh shtetin në marzhën e përgjithshme 376 milionë euro nga një dyzinë e marrëveshjeve ndërkombëtare që ju refuzoni t’i voton”.

Këtë qasje pushteti e ka ndjekur edhe në disa raste të tjera, sikurse se ajo për rezolutën e PDK-së për mbështetjen e Policisë së Kosovës, apo edhe kërkesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta miratuar një rezolutë që e mbështet rezolutën e Parlamentit Evropian e cila e dënonte ashpër sulmin terrorist nga Serbia në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Në këtë kontekst, nëse të dy palët i qëndrojnë besnik këtyre pozicioneve, atëherë ka gjasa që as ky raportim të mos mbahet. Me këtë rast pushteti e vazhdon procesin e dialogut duke i ikur raportimit në Kuvend para të gjithë deputetëve pa përjashtim, kurse opozita vazhdon të insistojë se ky është obligim kushtetues i kryeministrit dhe t’ia përkujtojë atij vazhdimisht këtë detyrim.

/TV Malisheva

Share.