Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri me datë 1 dhjetor 2023, duke përfshirë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.
MPB thekson se bazuar në vendimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës të gjithë ata që janë të pajisur me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, nga data 10 qershor 1999 deri me 21 prill 2022, mund të bëjë regjistrimin me targa RKS nga data 1 nëntor 2023, deri me 1 dhjetor 2023.
“Në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ju do të keni mundësi të përfitoni nga lehtësirat për regjistrim të mjeteve nga targat ilegale në targa RKS deri me datë 1 dhjetor 2023 duke përfshirë: taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. Mjetet tuaja motorike mund t’i regjistroni në cilëndo qendër të regjistrimit, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit që keni. Ftojmë të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA”, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe bashkërisht të përfundojmë me sukses këtë proces. Për çfarëdo informacioni shtesë, ftojmë qytetarët që të na drejtohen me pyetje në [email protected]”, thuhet në njoftim.
Targat KM lëshohen nga autoritetet serbe, dhe pas marrëveshjes me Kosovën në nëntor të vitit të kaluar, regjistrimi rinovohet në bazë të dekretit të Qeverisë së Serbisë, pa lëshuar fleta regjistrimi.
Kosova nuk e njeh një riregjistrim të tillë, që në praktikë do të nënkuptonte se ata që e kanë regjistruar veturën e tyre me targa KM në sistemin serb pas nëntorit të vitit të kaluar, nuk mund të lëvizin në territorin e Kosovës.
/TV Malisheva