Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, pasi në media u publikua një video ku ata shfaqen në shoqërinë shoqërinë e njërit prej njerëzve më të afërt të Enver Sekiraqës.

Lajmi për suspendimin e tyre është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga burime të besueshme në IPK.

Policët e supsenduar janë Valon Fetahu e Donat Jashari,  pjesëtarë të Anti-Terrorizmit dhe  Bashkim Krasniqi, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative.

Sot Paparaci.com raportoi se tre policët po darkonin e ngrinin dolli me njëri-tjetrin në tavolinën të shoqëruar nga Rrahim Abdullahu, një i afërt me Enver Sekiraqën dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij.

Videoja e cila e shfaq Rrahim Abdullahun të rrethuar në shoqëri me zyrtarë të Policisë së Kosovës është incizuar në një ndejë private.

Në fakt, bëhej fjalë për një festë. Vetëm dy ditë para ndejës, një tjetër anëtar i pretenduar i bandës së Sekiraqës ishte liruar nga paraburgimi.

Ndryshe, Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën ‘Liza’, është  liruar nga paraburgimi me dorëzani në mesin e muajit tetor.

Ai nuk është vetëm bashkëpunëtor i Sekiraqës e ‘Rrumqit’, por edhe djali i xhaxhait të Rrahim Abdullahut.

Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga paraburgimi Ilir Abdullahun, disa javë pas arrestimit të tij. Në vend të paraburgimit, ‘Lizës’ iu vendos masa e dorëzanisë.

Deri te arrestimi i tij në muajin korrik, ‘Liza’ i ishte shmangur drejtësisë për 15 vite.

Për vrasjen e 27 vjeçarit Triumf Riza, i dënuar me 35 vjet burg është Arben Berisha.

Ndërsa për nxitjen në vrasjen e Rizës, është i akuzuar edhe Enver Sekiraqa por që rasti i tij ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata.

Përveç Abdullahut, Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, akuzoheshin se si grup i organizuar nga Enver Sekiraqa, kishin organizuar vrasjen e Triumf Rizës, për motive të ulta.

Në kërkesën për paraburgimin e Abdullahut, të parashtruar nga Prokuroria Speciale, thuhej se ai në bashkëkryerje me të pandehurit Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, nën organizimin e Enver Sekiraqës e të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta Triumf Rizën.

/TV Malisheva

Share.