Shkruan: Afrim Kasolli

Ditën e djeshme opinioni u informua për një fenomen të çuditshëm, që draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thuajse e paskan lexuar dhe “analizuar” të gjithë përfaqësuesit kryesorë të pushtetit.

Këtë fakt ditë më parë e pati konfirmuar Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, pikërisht duke dalë nga dyert e gjykatave, si i akuzuar për përdorim të dhunës ndaj institucioneve demokratike, pasi para disa vitesh kishte protestuar kundër këtij entiteti. Ndonëse Kryekuvendari deklaroi se e ka lexuar të njëjtin vetëm sipërfaqësisht, por që i ishte dukur në rregull, sepse përmbajta e neneve të tij nuk ishte në kundërshtim më frymën evropiane dhe rendin kushtetues.

Se këtë dokument “sekret” e kanë lexuar edhe drejtues tjerë të pushtetit e konfirmoi edhe Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Për zyrtaren në fjalë,  pavarësisht që ende nuk është pranuar përfundimisht statuti i Bashkësisë, megjithatë ajo që është e shkruar në atë letër s’ka arsyeje të refuzohet. Ndonëse, sipas znj-Kusari-Lila pranimi i këtij i drafti ende s’ka përfunduar si proces.

Ndërkohë, ky draft nuk ka dyshim se tashmë ndodhet edhe ne duart  e Presidentes Vjosa Osmani. Gjatë konferencës për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ajo deklaroi se e ka lexuar dhe analizuar “gjerë e gjatë” propozimin për Asociacionin. Mirëpo, u shpreh pak me e rezervuar për të dhënë një gjykim përfundimtar, se a është në përputhje më Kushtetutën apo jo? Ngase sipas të parës së shtetit, këtë vlerësim duhet ta jap institucioni kompetent siç është Gjykata Kushtetuese.

Ndërkaq, në bazë të asaj që deklaruan publikisht gjatë ditës së djeshme shefat e grupeve parlamentare nga partitë opozitare, asnjëri nga zyrtarët kryesorë të këtyre partive nuk e ka parë dhe lexuar draft-statutin e Asociacionit. Prandaj, edhe janë duke kërkuar mbajtjen e një seance plenare ku Kryeministri do të raportonte para deputeteve si për takimet që ka pasur në Bruksel me liderët e shteteve evropiane ashtu edhe pranimin që i ka bërë Asociacionit në mënyre të fshehtë dhe larg syve të opinionit publik.

Se kur ky i fundit i është dorëzuar para autoritete shtetërore mbetet një “enimgë sfinski”? Megjithëse, sipas të gjitha gjasave, nëse jo më herët, të paktën gjatë vizitës së emisarëve perëndimorë në Prishtinë. Çfarë nënkupton se Albin Kurti ka pasur kohë te mjaftueshme për t’i takuar urgjentisht liderët e opozitës për t’i informuar ata mbi këto zhvillime, mirëpo ai ka zgjedhur injorimin e tyre.

Nuk ka dyshim se kjo sjellje nuk është aksidentale. Por shprehje e një mentaliteti populist politik, i cili i konsideron vetëm ata që i takojnë grigjës së tij politike si shprehje të interesave publike dhe shtetërore. Ngase këta të fundit e përfaqësojnë vullnetin popullor. Të tjerët janë vetëm vullnete private. Dhe asgjë më shumë. Prandaj më shumë se sa për të fshehur ndaj opozitën tradhtinë ndaj kauzës së tij kryesore, kjo është njëra nga arsyet që Albin Kurti e ka shpërfillur atë dhe nuk e ka parë të arsyeshme politikisht ta informoj.

Mirëpo, krahas sindromit populist kjo fshehje e tij ndaj opozitës mbase mund të rrjedh nga fakti se ai tashmë ka kalkuluar se pavarësisht nga përmbajta e draft-statutit mbi Asociacionin, ko e fundit do ta pranojë atë pa asnjë rezervë dhe rezistencë. Se do të rreshtohet pas tij në jetësimin e këtij obligimi ndërkombëtar. Dhe krijimit të këtij imazhi dhe narracioni i ka kontribuuar jo pak edhe opozita me (mos)veprimin e saj.

Ajo ka kohe që është shndërruar në një pasagjere politike në një anije që ka marrë drejtimin e gabuar nga timonieri i saj, Kryeministri Albin Kurti. Asnjëra prej tyre nuk e ka sfiduar të parin e qeverisë pse ka marrë këtë drejtim, por vetëm pse nuk e ka bërë një gjë të tillë më herët me shpresën se i njëjti sa më shpejt do të përplaset me ndonjë ajsberg, e ku më pastaj liderët e opozitës ta përjetonin këtë aksidencë si shpresë për t’u katapultuar nga pasagjerë në timonierë, por pa busulle për ta ndërruar drejtimin e  anijes. Pra duke harruar, se duke qene se bashku në këtë “aventurë” nuk kanë shansa të shpëtojnë as këta.

Ndërkohë, asgjë nuk e dëshmon më mirë këtë rol të saj, se sa seanca e plenare e Kunvendit pas sulmit të 24 shtatorit. E dridhur nga dallgët elektorale të asaj ngjarje opozita u reshtua edhe më shumë nën pushtetin e Timonierit. I ofrojë solidaritet të plotë, me arsyetimin se ky unitet është për shtetin. Nuk parashtroi asnjë kërkesë të saj për një rezolutë tjetër, ku do ta detyronte pushtetin të ndërronte drejtim në raport me dialogun, për shkak të ndryshimit të rrethanave. Ajo e kishte shansën të insistonte me një pikë të vecantë në rishikimin e planit Franko-Gjerman, sidomos sa i përket pikës për Asocacionin dhe autonominë territoriale të Kishës Serbe Ortodokse, sepse pas këtij sulmi ndryshuan rrethanat dhe kështu u shkel pika e adresimit paqësor të çështjeve ndërmjet dy shteteve.

Mirëpo, në vend të aksionit zgjodhi rreshtimin. Prandaj edhe nuk i ka mbetur tjetër opsion pos t’i lutet dhe t’i kërkoje Kryeministrit që t’i informojë se si po shkon plani i zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E a do ta bëjë një gjë të tillë ky i fundit, mbetet të shihet të ditën  e premte?

/TV Malisheva

Share.