Pas përfundimit të samitit të BE-së në Bruksel, në margjina të të cilit u zhvilluan edhe takimet ndërmjet  liderëve kryesorë evropianë, presidentit francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq me qëllim ringjalljen e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, të parët publikuan një komunikatë ku “Kosovës i bëhet thirrje për nisje të procedurave për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që de facto ta njohë shtetësinë e Kosovës”.

Kjo deklaratë pa dyshim se ngjalli shpresa në opinionin publik të Kosovës. Sepse u krijua bindja se më në fund BE-ja si lehtësuese e dialogut do të gjejë rrugë dhe mënyra të reja për ta trajtuar më me dinjitet edhe Kosovën. Do t’i jap fund qasjes së saj asimetrike në negociata dhe po ashtu do të distancohet nga qëndrimi i saj neutral në raport me statusin e Kosovës.

Mirëpo sot, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Beograd dhe takimit me kreun shtetëror serb, sipas Radios Evropa e Lirë kur është pyetur nga gazetarët se si mund të kërkohet nga Serbia që ta njohë de facto Kosovën, nëse pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ajo ka pohuar se bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”.

Pra kjo përgjigje tregon se nuk bëhet fjalë për kurrfarë njohje, por vetëm për një eufemizëm diplomatik për ta maskuar zbatimin e Asociacionit nga Kosova. Për më shumë vet kjo marrëveshje e nuk është asgjë tjetër pos plan i zbatimit të Marrëveshjes bazë të Brukselit të arritur me 27 shkurt 2023, ku palët i janë “qasur pa paragjykim statusit të Kosovës”.

Ndërkohë, një ditë pas dakordimit të Marrëveshjes së Ohrit interpretimi zyrtar i BE-së ka qenë se më këtë pajtim nuk bëhet fjalë për njohje, por vetëm për proces të normalizimit të mardhënieve ndërmjet dy vendeve.

E ky normalizim nënkupton kompromise të reja nga Kosova “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Si dhe zyrtarizmin e statusit të e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ofrimit një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Prandaj, Marrëveshja e Ohrit, “nuk e mbyll dialogun me Serbi, por e rihap atë në një dimension tjetër në pafundësi , në një kohë të pacaktuar, duke e rikthyer atë në një çështje të sigurisë rajonale, në një problem evropian, zgjidhja e të cilit do të merr djersën, mundin dhe, ndoshta edhe jetët e atyre që vijnë pas nesh”

Rrjedhimisht, këto deklarata të zyrtarëve evropianë tashmë dëshmuan qartë se edhe termi “plani i ri” që filloi të përdoret pas vizitës së emisarëve perëndimorë në Prishtinë nuk paska qenë asgjë tjetër, por një paravan për të mbuluar mashtrimet e vjetra.

/TV Malisheva

Share.