Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, tre serbët e arrestuar për sulmin terrorist në Banjskë.
Më 20 tetor të këtij viti Gjykata e shkallës së parë kishte marrë aktvendimin për vazhdimin e paraburgut.
Lidhur me këtë vendim mbrojtja e të dyshuarve kishte parashtruar ankesë në shkallë të dytë, por që Apeli dje i ka refuzuar këto ankesa dhe ka vërtetuar aktvendimin e themelores.
Sipas arsyetimit të gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë e ka arsyetuar drejtë se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit.
Ata u arrestuan si të dyshuar për sulmin terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagos një polic tjetër, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.