Ditën e sotme Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), në bashkëpunim me shoqatën “Organika” kanë organizuar Forumin e Sektorit të Ushqimit – Edicioni i 3-të.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës PePeKo, Hartim Gashi tha se edicionet tjera kanë qenë të suksesshme meqë kanë arritur të kenë mbi 120 takime biznesore, mbi 25 kontrata të nënshkruara dhe mbi 600 mijë euro eksport të produkteve vendëse.
Sipas tij ky është edhe qëllimi i këtij Forumi, pra të përkrahen prodhuesit në pasimin e produkteve të tyre në treg.
Ai gjithashtu përmendi se njëra ndër arsyet pse e kanë zgjedhur pikërisht nëntorin për ta organizuar këtë event është se ky muaj është koha e grumbullimit të produkteve nëpër depo, përderisa blerësit bëjnë planet për vitin tjetër.
“Nga aktivitetet e realizuara në dy edicionet e kaluara kemi pasur disa rezultate shumë konkrete. Kemi pasur mbi 120 takime biznesore, mbi 25 kontrata të nënshkruara dhe kemi pasur mbi 600 mijë euro eksport të produkteve vendore si rezultat i marrëveshjeve që kanë lindur nga edicionet e kaluara. Arsyeja pse kemi zgjedh nëntorin për të organizuar këtë event, ndërlidhet me shumë faktorë”.
Ndër faktorët kryesorë është se kompanitë prodhuese vendore i mbushin depot e tyre me stoqe dhe fillojnë të planifikojnë shitjen dhe në anën tjetër blerësit vendor dhe ndërkombëtar fillojnë të planifikojnë shitjen e produkteve të tyre, prandaj nëntori është koha më e përshtatshme dhe më e mirë që të ndërlidhen bizneset të cilat i blejnë produktet vendore dhe kompanitë të cilat i prodhojnë produktet e tyre”, theksoi ai.
/TV Malisheva