Familjarë, qytetarë e aktivistë protestuan sot para Prokurorisë Speciale për neglizhencën e Prokurorisë në hetimin e rastit të Astrit Deharit, i cili vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit, në gusht të vitit 2016.

Autoritetet përgjegjëse në Kosovë fillimisht e kanë cilësuar vdekjen e tij si “vetëvrasje”, por familja Dehari kishte kërkuar që të bëhet ekspertizë ndërkombëtare, për shkak të dyshimeve për këtë konstatim.

E sot protestuesit mbajtën në dorë pankartat si: “Prokurori mos të fle”, “U mbajt pa prova 67 ditë”, “7 vjet pa Astritin janë shumë”. Në këtë aksion morën pjesë edhe prindërit, bashkëshortja e vajza e tij, që në duar mbante një mbishkrim “Drejtësi për babin”.

Protestuesi me zë të lartë theksoi se ajo çka na mësoi Astriti është që të luftojmë për drejtësi.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi theksoi se Astriti ka vdekur në rrethana të pa sqaruara. Sipas tij, dëshmitarë po mbahen të fshehta nga Prokuroria e cila nuk po jep asnjë sqarim lidhje me këtë rast.

E babai i Astritit theksoi se tashmë po bëhen 7 vjet që po kërkojnë drejtësi, duke shtuar se edhe arrestimi i tij ishte inskenim për qëllime politike të asaj kohe. Ai gjjithashtu I fajësoi dy prokurorët, duke thënë se e kanë keqpërdorur këtë rast dhe e kanë anashkaluar si rast.

Kështu e përfunduan këtë protestë sot qytetarët, duke fajësuar Prokurorinë për anashkalim të këtij rasti, tash e 7 vite.

/TV Malisheva

Share.