Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi ka thënë se Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë.
Në një postim në Facebook, i pari i Qeverisë ka përmendur disa nga hapat që kanë ndërmarrë drejt anëtarësimit të Kosovës në BE.
Kurti ka shkruar se pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri.
“Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri më tej ka shtuar se MPJD realizoi mbi 500 takime zyrtare jashtë vendit, duke shtuar se vendi ynë mirëpriti 60 vizita të delegacioneve të larta, dhe morëm pjesë në afër 50 Konferenca ndërkombëtare.
“Nënshkruam 109 marrëveshje ndërkombëtare dhe 123 memorandume, protokolle dhe marrëveshje ndërinstitucionale me shtete të ndryshme”, ka shkruar Kurti.
Kurti tutje ka përmendur edhe qështjen e amabasadave të Kosovës në vende të ndryshme të botës, duke thënë se do të vazhdojnë të blejnë objekte të reja për të demonstruar seriozitetin e vendit
tonë.
“Objektet e ambasadës së Kosovës në ShBA dhe Mbretëri të Bashkuar i kthyem në pronë të Kosovës, duke i bërë ato shtëpi të përhershme të Republikës sonë në këto dy vende mike të pazëvendësueshme. Ngjashëm vepruam edhe në shtetin e Senegalit. Do të vazhdojmë me blerjen e objekteve për të demonstruar seriozitetin e vendit tonë dhe njëkohësisht për të kursyer qiratë e larta që janë paguar”, u shpreh i pari i Qeverisë.
Kryeministri ka theksuar se mirëmbajtëm edhe marrëdhënie të afërta e partneriteti me aleatët tanë.
“Dëshmuam vlerën, mirënjohjen dhe gatishmërinë për të qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me rastin e strehimit të refugjatëve afganë. Vërtetuam orientimin tonë euro-atlantik kur u rreshtuam me demokracitë e botës në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Treguam fisnikërinë dhe mikpritjen tonë duke pranuar dhe mbështetur financiarisht deri më tani 18 gazetarë ukrainas dhe pesë gazetarë afganë”, ka shkruar Kurti më tej në postimin e tij në “Facebook”.
Kurti ka shkruar se janë angazhuar për miqësi të reja dhe raporte më të afërta – hapja e misionit diplomatik në Poloni, vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Timorin Lindor, avancimi i statusit të Zyrës së Kosovës në Greqi.