Kryetari dhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe Hajdin Berisha, të shoqëruar nga komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Azem Krasniqi, sonte kanë inspektuar qarkullimin në rrugët e qytetit, duke u njoftuar më gjerësisht me qarkullimin rrugor gjatë natës në qytetin e Malishevës.
Qëllimi i këtij inspektimi ishte njoftimi me qarkullimin rrugor në orët e mbrëmjes për shkak të numrit të madh të veturave në këtë periudhë, gjendja e rrugëve, shpejtësia, si dhe patrullimi i policisë.
Gjatë këtij inspektimi, Begaj, Berisha e Krasniqi, janë takuar me njësitë policore në patrullim, si dhe me qytetarë të rastit.
“Siguria në rrugë, në muajt korrik dhe gusht, është dëshirë e përbashkët e të gjithëve, prandaj të gjithë së bashku duhet të jemi të angazhuar që qytetarët, por edhe vozitësit të kenë siguri gjatë qarkullimit në rrugët e qytetit”, tha kryetari gjatë këtij inspektimi të përbashkët.
“Ne morën zotimin e policisë sonë, se do të jenë të angazhuar maksimalisht për krijimin e sigurisë në rrugët e qytetit dhe në të gjitha rrugët tjera në territorin e Komunës së Malishevës”, tha kryetari Begaj.