Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përfundoi të hënën në Turqi një turne të ngjeshur vizitash në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të arritur një konsensus rajonal për mënyrën më të mirë për të lehtësuar vuajtjet e civilëve në Gazë, ndërsa Izraeli intensifikon luftën kundër Hamasit. Sekretari Blinken shpreson që pauzat në luftime do të mundësonin edhe lirimin e pengjeve të kapura nga Hamasi dhe se do të parandalonin përhapjen e konfliktit në rajon.

Sekretari Blinken u takua të hënën në kryeqytetin Ankara me Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan pas një fundjave takimesh në Izrael, në Jordani, në Bregun e pushtuar Perëndimor, Qipro dhe Irak, me synimin për të krijuar mbështetje për propozimin e administratës së Presidentit Biden për krijimin e “pauzave humanitare” në fushatën e pandalur ushtarake të Izraelit në Gazë.

Sekretari Blinken foli për gazetarët përpara largimit nga Turqia.

“Kemi patur biseda shumë të rëndësishme me vendet e rajonit gjatë këtij udhëtimi, për rolin që secili mund të luajë që konflikti të mos zgjerohet në vende të tjera dhe sigurisht që jemi shumë të përqëndruar tek pengjet e mbajtur nga Hamasi, ndër ta edhe amerikanë, dhe po bëjmë gjithçka të mundur për kthimin e tyre në atdhe”, tha Sekretari Blinken.

Këto përpjekje intensive diplomatike u bënë ndërsa forcat izraelite rrethuan qytetin e Gazës për t’u përballur në vazhdim rrugë më rrugë me militantët e Hamasit që përdorin një rrjet të gjerë tunelesh. Sekretari Blinken shpreson se një pauzë në luftime do të mundësonte hyrjen e ndihmave dhe lirimin e pengjeve.

“Përpjekjet vazhdojnë. Jemi të ndërgjegjshëm për shqetësimin e thellë për pasojat e tmerrshme në Gazë, për palestinezët, burrat, gratë dhe fëmijët në Gazë, fëmijë të pafajshëm – një shqetësim që e shprehim çdo ditë. Jemi angazhuar me izraelitët për hapat që mund të ndërmarrim për të minimizuar dëmet në radhët e civilëve. Po punojmë shumë për futjen e ndihmave humanitare në Gazë”, tha Sekretari Blinken.

Ai nuk u takua me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, i cili ka bërë kritika të shumta ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe e ka quajtur Hamasin një grup çlirimtar, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatë terroriste. Përpara ministrisë së jashtme turke ishin mbledhur protestues me parulla kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, ndërsa më herët policia shpërndau grupe studentësh që kishin marshuar duke kërkuar largimin e Sekretarit Blinken.

Më herët, ai qëndroi të shtunën në kryeqytetin e Jordanisë, Amman, ku doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm të Egjiptit dhe të Jordanisë, të cilët thanë se lufta e Izraelit ka kaluar përtej vetëmbrojtjes. Të dielën, Sekretari Blinken ishte në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, për një takim me kreun e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, takim që përfundoi pa komente publike dhe u shoqërua me protesta nga palestinezët. Në vazhdim, ai bëri një ndalesë të paparalajmëruar në Bagdat ku bisedoi me Kryeministrin Mohammed Shia al-Sudani. Pas këtyre përpjekjeve të vrullshme diplomatike në Lindjen e Mesme, Sekretari Blinken vazhdoi udhëtimin drejt Japonisë për të marrë pjesë në takimin e G7-ës/VOA

/TV Malisheva

Share.