I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ndodhet për një vizitë në Prishtinë, gjersa mbrëmë ka takuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Emisari Miroslav Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Bislimi ka thënë se kanë rënë dakord për hapat e ardhshëm.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi si vazhdimësi e takimit të fundit me liderët evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm [në dialog]”, ka shkruar Lajçak.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pati një darkë pune me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

/TV Malisheva

Share.