Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka bërë të ditur se po jetësohet instituti që do të adresojë krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në vitet 1998-1999.
Kurti ka shtuar se qeveria është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë si parakushte për paqen e qëndrueshme.
“Vazhdon angazhimi ynë për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës. Sot u bë edhe një hap në këtë drejtim për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive që do të na shërbej neve dhe brezave pas nesh. Po jetësojmë institutin që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën 1998-1999”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka treguar se ka emëruar edhe Atdhe Hetemin si drejtor ekzekutiv i këtij instituti.
“Atdhe Hetemi është ligjërues në departamentin e shkencave politike në UP ka përfunduar doktoratën në universitetin e Gent-it në Belgjikë”, tha Kurti.
Ai shtoi se gjatë këtij viti janë bërë gërmime vlerësuese në 11 lokacione për gjetjen e të zhdukurve.
“Në 5 prej tyre kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e së paku 6 viktimave të luftës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka shtuar se kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e kryera në Kosovë.
“Ato nuk parashkruhen andaj nuk mund të ketë amnisti për krimet e kryera nga okupatori e agresori serb gjatë luftës në Kosovë”, tha Kurti.
/TV Malisheva