Shkruan: Afrim Kasolli

Shumëkush mund të ketë kritika se pse e përzgjodha rastin monstruoz të Jeffrey Dahmer për ta pasqyruar këtë fenomen. Kam lexuar edhe shumë reagime në mediat ndërkombëtare për këtë seri filmike. Familjaret e viktimave kanë shprehur zemërimin tyre për këtë prodhim të platformës digjitale Netflix. Mirëpo, poenta e këtij shkrimi është tjetër kund. Kur në pjesën e fundit të serialit gjatë qëndrimit në burg Jeffrey Dahmer tundohet nga ideja për ta fituar shpëtimin shpirtëror nëpërmjet pagëzimit, pavarësisht krimeve monstruoze që i kishte shkaktuar, atëherë autoritetet fetare të vendit e pagëzojnë. Kjo ceremoni realizohet në “Columbia Correctional Institution”. Është simtompatike sesi ky vrasës serik sipas këndvështrimit klerikal mund ta fitojë hirin e perëndisë dhe shpëtimin shpirtëror dhe sa hap e mbyll sytë mund rikthehet në familjen e Zotit.

Mirëpo, a nuk ka ndodhur që shumëherë klerikët fetar, dhe atë jo vetëm të një feje të caktuar, të kenë qenë shumë më të ashpër dhe radikal ndaj atyre që nuk kishin bërë asnjë krim tjetër, por vetëm pse kishin guxuar të mendonin me kokën e tyre? Pikëpamjet që këta të fundit i kishin artikuluar, ishin mallkuar si heretike, kurse ka të atillë mendimtarë që edhe pas shumë shekujve nuk mund të pranohen ende në familjen e Zotit.

Bie fjala, ende sot e kësaj dite ekziston një debat brenda bashkësisë krishtere për persekutimin e Giordano Bruno-s, këtij martiri të shkencës moderne. Kështu, kohë më parë pas një investigimi të detajuar Kardinali, Pual Popard, pat deklaruar se “Kisha kishte bërë gabim në ekzekutimin e Brunos, por kishte të drejtë në mohimin e herezive të tij”. Pra sipas tij, qëllimet e drejta u zbatuan me metoda të gabuara “church was wrong to execute Bruno but right to reject his heresies”.

Ndërkohë, një rast tjetër ekstrem është ai i Spinozës, i cili ishte përjashtuar dhe ekskomunikar nga klerikët fetarë të bashkësisë hebraike të Amsterdamit këtu e tre shekuj me parë, për shkak te pikëpamjeve të tij filozofike, politike dhe etike.

Sipas biografit të njohur të filozofit holandez me orgjinë hebraike, Steven Nadler, “në vitin 2012, një anëtar i kongregatës çifuto-portugeze të Amsterdamit nguli këmbë që më në fund kishte ardhur koha për të marrë parasysh revokimin e heremit mbi Spinozan, ma’amadi, ose anëtarët joklerikë të komunitetit, kërkuan këshillim të jashtëm për një vendim aq të rëndësishëm. Ata thirrën një komitet – mua, së bashku me tre shkollarë të tjerë – për t’iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme për rrethanat filozofike, historike, politike dhe fetare të dekretit ndaj Spinozës. Edhe pse ata nuk kërkuan prej nesh të rekomandojmë ndonjë rrugëdalje të caktuar, megjithatë ata na kërkuan opinionet tona në lidhje me përparësitë dhe disavantazhet e mundshme në rast të zhbërjes së dekretit. Ne i dorëzuam raportet tona, dhe më shumë se një vit kaloi pa asnjë lajm. Më në fund, në verë të 2013, ne pranuam një letër që na njoftonte se rabini i kongregatës kishte vendosur që heremi të mos revokohej. Sipas tij, Spinoza qe vërtet një heretik. Ai shtonte se përderisa ne që të gjithë mund të çmojmë lirinë e shprehjes në sferën civile, nuk ka ndonjë arsye për të pritur një liri të tillë brenda botës së Judaizmit ortodoks. Për më tepër, pyeste ai retorikisht, a janë liderët e komunitetit sot, më të mençur a më mirë të informuar lidhur me rastin e Spinozas se sa rabinët që e kishin ndëshkuar atë pikë së pari?”

Atëherë shtrohet pyetja si është e mundur që një vrasës serik si Jeffry Dahmer të pranohen më aq lehtësi në bashkësinë e Zotit? Ndërkohë, ekzistojnë dilema dhe ka ende rezistencë ndaj figurave mendore sikur Bruno dhe Spinoza, të cilët ka shumë shekuj që nuk ndodhen në mesin e të gjallëve. E këtu vlen të përmendet edhe zelli fanatik me të cilin regjimi i Iranit e mban në fuqi fetvan e njohur që nga viti 1989  kundër shkrimtarit Sleman Rushdie.

Variante te tilla jo-ekstreme mund të hasen edhe në jetën e përditshme edhe sot e kësaj dite. A nuk ka ndodhur që shumë më lehtë të katapultohen ata që identifikohen me krimin dhe korrupsionin, në çdo regjim “të vjetër e të ri” se sa mendimin. Mbase duke i falur të parët për mëkatet e tyre pushtetarët e marrin rolin e shpëtimtarit për ndërgjegjen e vrarë të tyre.

Këta shembuj mbase tregojnë se ajo që e kanë pasur të vështirë ta amnistojnë pikërisht mbetet “krimi” që e prodhon mendimi. Ngase ky i fundit nuk njeh asnjë autoritet tjetër, pos atij që “prodhon” vet. “Gijotina” e tij është më “vrastare” se çdo shpatë tjetër. Sepse duke i qëndruar besnik mendimit njerëzit refuzojnë ta dorëzojnë personalitetin e tyre. Po ashtu, manifestimi i erës së mendimit i ndihmon qeniet njerëzore që të “dallojnë të drejtën nga e gabuara, të bukurën nga  e shëmtuara dhe u krijon atyre forcën për të parandaluar katastrofa në momente të veçanta dhe çaste të rrezikshme të dalldisë kolektive, pavarësisht faktit se ai nuk krijon njohje.

“Kotësinë” e tij mbase e ka shprehur në mënyrë emblematike filozofi i njohur, Martin Heidegger, kur ka pohuar se “të menduarit nuk çon në ndonjë dije krahasuar me shkencat dhe nuk sjellë njohuri praktike. Të menduarit nuk i zgjidh ndonjërën nga enigmat botës. Nuk të pajis me ndonjë fuqi momentale për të vepruar. Ne jetojmë sepse jemi qenie gjalla dhe mendojmë sepse jemi qenie mendore”. Prandaj, detyrimi për menduar është thirrje imeprative për të qëndruar në pajtim me këtë atribut të qenies njerëzore.

/TV Malisheva

Share.