REL-i e takoi atë në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Prishtinë, ku po interesohej nëse dokumenti i tij është gati.
Gjermania është edhe për të destinacioni i dëshiruar.
“Por, si turist, për vizitë… Nuk punoj pa dokumente të rregullta, sepse ma ndalojnë hyrjen dhe nuk rrezikoj”, thotë Ardi.
Ka interesim, por jo fluks masiv
Në disa agjenci turistike në Kosovë pohojnë se ka rritje të interesimit të qytetarëve dhe grupeve të organizuara për oferta të udhëtimit në vendet e Bashkimit Evropian, pas 1 janarit, 2024, por, sipas tyre, nuk bëhet fjalë për ndonjë fluks masiv.
Blerina Gashi, nga agjencia turistike ajrore Eurokoha, thotë se në bazë të rezervimeve të deritashme, qytetarët në mesin e 20-tave janë më të interesuar për të udhëtuar.
Fatmire Beqiri, nga agjencia turistike Veneta Travel, thotë se ka filluar tashmë përgatitjet për udhëtime të organizuara pas 1 janarit.
“Interesimi për to është shumë i madh, pasi, deri më tash, ka pasur probleme për t’u pajisur me viza dhe shumë qytetarë as që kanë tentuar t’i grumbullojnë dokumentet e shumta për aplikim”, sipas Beqirit.
Ngjashëm pohojnë edhe në agjencitë që organizojnë udhëtime me autobusë.
Ruzhdi Kurtishaj, nga Sharr Travel, thotë se interesimi i vërtetë për të udhëtuar pritet të shihet nga dhjetori e andej.
Entuziazëm ka, por jo edhe mundësi ekonomike
Njohësi i integrimeve evropiane në Kosovë, Shenoll Muharremi, vlerëson se entuziazmi për të udhëtuar ekziston, por jo edhe mundësitë ekonomike, sipas tij.
“Aktualisht, jemi në një krizë të theksuar financiare të inflacionit dhe kjo mund ta zbehë potencialin e lëvizjeve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, shton Muharremi, nuk përjashtohet mundësia që të rinjtë të interesohen ta braktisin Kosovën, në kërkim të mundësive më të mira.
Në vitet e fundit, mijëra kosovarë kanë marrë viza pune për në vendet e BE-së, e sidomos në Gjermani.
Vetëm vitin e kaluar, numri i vizave të punës të lëshuara nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është rritur për 110 për qind, në krahasim me vitin paraprak.
Muharremi thotë se institucionet e Kosovës duhet të kujdesen për t’i informuar qytetarët se liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune dhe, në rast se keqpërdoret, mund të ketë pasoja.
“Disa gjëra marrin më shumë kohë për t’u zbatuar, andaj një komunikim më intensiv do ta ndihmonte publikun e gjerë të kuptojë se liberalizimi i vizave nënkupton më shumë turizëm dhe biznes, e jo punësim dhe në raste ekstreme kërkesa për azil”, thotë ai.
Qeveria e Kosovës, nga 5 tetori, ka filluar fushatën informuese për liberalizimin e vizave, si në terren, ashtu edhe në mediat sociale.
Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, konfirmon për REL-in se materialet informuese janë shpërndarë në lokacione të ndryshme në gjuhët zyrtare të Kosovës.
Sipas tij, fushata do të vazhdojë edhe pas janarit nëse është e nevojshme.
Rruga deri te liberalizimi
Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.
Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut e gëzojnë këtë të drejtë nga dhjetori i vitit 2009, ndërsa për Shqipërinë dhe Bosnje e Hercegovinën kjo është bërë e mundur nga fundi i vitit 2010.
Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.
Vendimi përfundimtar për liberalizimin është marrë këtë vit, përkatësisht në prill, kur është publikuar në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Megjithatë, Bashkimi Evropian e ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave, në rast se shkelen rregullat.
Ai do të aktivizohej si vijon:
Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të migrimit të parregullt;
Në rast të rritjes së konsiderueshme – mbi 50% – të kërkesave për azil me shkallë të ulët pranimi, rreth 3-4%;
Në rast të rënies së bashkëpunimit për riatdhesimin e shtetasve që përjashtohen nga BE-ja, si rezultat i qëndrimit të parregullt;
Në rast të rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht për vepra penale të rënda.
Të dhënat e Agjencisë së BE-së për Azil tregojnë se vetëm gjatë vitit 2022, mbi 3.000 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për azil në një vend të këtij blloku dhe se kjo e drejtë u është njohur 8 për qind prej tyre.
Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka ende të dhëna për vitin 2022 dhe për këtë vit, por ato të vitit 2021 tregojnë se nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë, për arsye të ndryshme – në mesin e tyre edhe punësimi. Sipas ASK-së, shumica e tyre kanë qenë legalë.
/TV Malisheva