Është liruar nga akuza zyrtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Bedri Duraku, aktualisht i pezulluar nga puna, i ngarkuar për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Aktgjykimi lirues është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Kuçi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Bedri Duraku ngarkohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se në cilësinë e koordinatorit të Panelit për Lirim me Kusht (PLK) në kuadër të KGjK-së, ka bërë përpilimin e një akti me përmbajte të rreme, me çka edhe akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Sipas aktgjykimit, Duraku është liruar nga akuza sepse nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.
Pala e dëmtuar udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.
Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e kopjes së këtij aktgjykimi.
Në seancën e 27 marsit 2023, Duraku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën se ka falsifikuar dokumentin zyrtar.
/TV Malisheva