Deputeti i AAK-së Bekë Berisha ka ndarë detaje në lidhje me draftin e Asociacionit të propozuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, për të cilin lideri i partisë së tij, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se e ka lexuar.
Berisha tha se drafti i fundit është i njëjti me atë të para 10 vjetësh, veçse sipas tij janë shtuar edhe më shumë privilegje për serbët, transmeton Zeri.info.
“Është marrëveshja e njëjtë që u bë para 10 viteve, veç tash është larg më e mirë ju kanë shtuar edhe disa gjëra tjera, sepse këto marrëveshje shkojnë vetëm duke u bërë më të këqija kur refuzohen. Partia që është në pushtet tash e ka kundërshtuar Asociacionin, sikur të behej atëherë ne do të ecnim përpara dhe nuk do t’i kishim këto probleme”.
“Tash ka edhe disa nene tjera, nga dy flet është bërë një libër me kërkesa për serbët, ju kanë shtuar privilegjet”, tha Berisha në emisionin “Destinim” në Radio Prishtina.
Ai parashikoi se pas pesë vjetësh nga themelimi i Asociacionit, do të përfundojë mbikëqyrja nga BE-ja dhe sipas tij, kur kompetencat të kalojnë te Qeveria e Kosovës, serbët do të provojnë të krijojnë incidente për të marrë autonomi.
“Unë personalisht ndaras nga partia, mendoj se në të ardhmen, aty parashihet auditimi nga BE-ja për pesë vjet dhe mendoj se pas pesë vjetësh kur të na kalojnë kompetencat te ne do aty të ndodhë diçka, serbët janë të gatshëm, por nuk dihet cilat do të jenë rrethanat në botë, shpresoj që të ndalen këto luftëra, sepse serbet do të provojnë të krijojnë incidente për të krijuar autonomi”, shtoi Berisha.
/TV Malisheva