Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaron se zgjedhjet në veri të vendit mund të mbahen vetëm pas dorëheqjeve të kryetarëve aktual. Kjo çështje, sipas saj, mund të zgjidhet vetëm me një marrëveshje politike, por jo edhe me udhëzimin administrativ për largimin e kryetarëve nga funksioni i tyre.
Për këtë dokument, Daka, shprehet se nuk është kushtetues dhe që KQZ, nuk mund të organizojë diçka që nuk ka mandat.
Udhëzimi administrativ që iu mundëson qytetarëve të veriut shkarkimin e kryetarëve përmes një peticioni, u hartua nga qeveria për shtensionimin e plot të situatës në veri të Kosovës.
“Unë konsideroj që meqenëse tanimë i kemi katër kryetarë në katër komunat veriore, të cilët janë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, zgjedhjet mund të mbahen vetëm në qoftë se ata japin dorëheqje, apo bëhen ato procedurat ashtu siç është menduar me një peticion nga ana e qytetarëve, ku unë mendoj se ai udhëzim administrativ, megjithatë, nuk është kushtetues, sepse prek disa çështje të cilat janë adresuar në këtë udhëzim dhe të cilat prekin edhe në të drejtat e njeriut dhe ajo është fakti që këta kryetarë të cilët janë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme, nuk mund të detyrohen që të japin dorëheqje apo kjo dorëheqje duhet të bëhet për arsye të caktuara dhe me vullnetin e tyre.
Vetëm atëherë ato dorëheqje mund të konsiderohen ligjore dhe mund të prodhojnë pastaj zgjedhje të reja në ato komuna”, deklaron Daka.
Daka konsideron se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të organizojë referendum, meqë nuk është në mandatin e saj.
“Ky udhëzim administrativ së pari i referohet referendumit, i cili duhet të organizohet nga KQZ-ja. KQZ nuk e ka atë mandat për momentin, sepse një ligj për referendumin nuk ekziston. Dhe meqenëse KQZ është institucion kushtetues, kjo do të thotë që KQZ organizon diçka që nuk e ka mandat.
Pra, është çështje ligjore dhe si e tillë do të rezultonte me shkelje, aq më tepër që zgjedhjet mund t’i shpall vetëm presidenti i shtetit, apo presidentja, dhe nuk mundet KQZ të organizojë zgjedhje pa pasur një dekret të nënshkruar nga presidentja e Kosovës”, shprehet Daka.
Megjithatë, ajo konsideron se duhet të ekzistojë një marrëveshje politike, meqë më shumë është çështje e tillë.
“Gjithsesi marrëveshja politike, e cila duhet të ekzistojë për atë pjesë të Kosovës është ajo e cila mund të çojë në zgjedhje tjera, të cilat zgjedhje me siguri që do të përfshinin edhe pjesëtarët e qytetarëve të kombësisë serbe apo jo-shumicë të cilët jetojnë në atë pjesë.
Dhe të cilët pastaj do të marrin pjesë dhe do të votojnë për ata të cilët mendojnë se duhet të zgjedhën. Pra, gjithsesi kjo çështje nuk është çështje ligjore, por është çështje me tepër politike e cila edhe mund të zgjidhet në mënyrë politike dhe me marrëveshje politike”, shton Daka.
Serbët e veriut kishin bojkotuar zgjedhjet e 23 prillit dhe më pas kanë kundërshtuar edhe kryetarët e zgjedhur në katër komuna.
Më pas, Kosova kishte arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian për ulje të tensioneve dhe në është ishte përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
/TV Malisheva