Në Tusuz të Prizrenit janë gjetur mbetje mortore të premten e që potencialisht mund të jenë të viktimave të luftës.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gërmimet në këtë lokacion kishin nisur sot në vazhdën e atyre më herët në tri lokacione në hapësirat e varrezave të qytetit të Prizrenit.
“Gërmimet e filluar në mëngjes tanimë kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund t’iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”, thuhet në njoftimin e komisionit.
Gërmimet në Tusuz u kryen në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special.
“Lokacioni në Tusuz të Prizrenit është lokacioni i trembëdhjetë i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.
Dje, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë gërmimeve që kanë bërë në fshatin Prekaz, në Skenderaj, kanë hasur në mbetje mortore/eshtra, që potencialisht thuhet se mund të jenë të personave të zhdukur.
/TV Malisheva