Është bërë e zakonshme që në çdo forum ndërkombëtar apo samit global, ku është i ftuar Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që ta shfrytëzoi shansin për ta sulmuar ish-presidentin Thaçi, i cili aktualisht ndodhet në burgun e Hagës për shkak Gjykatës Speciale.
Këtë gjest e përsëriti edhe sot, në forumin e paqes që po mbahet Paris. Ai e akuzoi ish-presidentin e Kosovës, se ka komplotuar së bashku me atë të Serbisë Aleksandër Vuciq plane për këmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve. Madje këto konspiracione i quajti si produkt i mentalitetit monarkik dhe feudal, si dhe trashëgimi e nostalgjisë nga shkatërrimi i ish-Jugosllavisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.
Kurse, me ardhjen e tij në pushtet normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve duhet të bëhet mbi premisa tjera. Atë të Kosovës multi-etnike. Mirëpo, e vërteta është krejt tjetër. Ngase Thaçi më shokë ndodhet në Hagë, pikërisht pse ka qenë interes i Serbisë dhe Rusisë, e jo pse ka ndjekur politikën e tyre.
Siç dihet nga të gjithë ne, baza e këtij procesi u vendos kur pamfletet propagandistike të shërbimeve sekrete të këtyre vendeve u morën dhe u përpunuan nga ish-senatori kontrovers zviceran Dic Marty dhe u paraqitën për miratim para Këshillit të Evropës.
Madje ish-ministri i Britanisë së Madhe për Evropë, Denis MacShane, pat deklaruar se “raporti i Martyt është një vegël e Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, dhe se ky raport në Këshillin e Evropës reflekton politizimin e kësaj organizate nga Rusia që nga anëtarësimi i saj në vitin 1995”.
Me këtë rast, Kurti pohoi se normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet nga njohja de jure e të parës nga e dyta. Sepse tashme njohjen de facto të Kosovës e ka pranuar Serbia me Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe atë zbatimit të Ohrit. E, ky fakt na dallon neve nga Bosnja. Sepse këtë fundit Serbia e kishte pranuar de jure, por jo de facto.
Mirëpo, nëse çelësi i normalizimit qenka në këtë opsion, atëherë pikërisht Kurti me pranimin e kësaj marrëveshje e ka rrënuar këtë mundësi. Madje, ai është pajtuar që palët të kenë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Kështu Kosova dhe Serbia kanw rwnw dakord, që e para ta themelojë Asociacionin apo vete menaxhimin si ombrellë për autonominë territoriale dhe politike për komunitetin serb në Kosovë, si dhe autonominë e Kishës Ortodokse Serbe, pa marrë asgjë në këmbim nga Serbia. Kurse kjo e fundit me anë të kësaj strukture, kurdo që do të instalohet, vetëm sa i legalizon levat e pushtetit të saj në kuadër Kosovës. Këtë skenar e ka shpalosur edhe David Kanin, profesor për Studime Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA. Sipas analistit të njohur amerikan kërkesat ndërkombëtare të shprehura edhe nëpërmjet një komunikate ku thuhet se Serbia duhet ta njoh de facto Kosovën, kurse kjo e fundit ta formojë sa më shpejt Asociacionin, më shumë se sa do ta zgjidhnin problemin, në të vërtetë vetëm sa do ta shtojnë.
E para njohja de facto nuk është njohje. Sepse ose ka njohje ose nuk ka. Kështu, në vend të sigurimit të njohjes për Kosovën nga Serbia, çfarë edhe ishte qëllimi themelor i dialogut, tashmë ai ka përfunduar në mjet për sigurimin e njohjes së Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, me atribute federale. Pra në këtë mënyrë, Kryeministri është pajtuar vetëm për ta shtruar rrugën për atë solucion që mund të zbatohet në një të ardhme të afërt, e që ai e definon si opsion monarkik apo feudal.
Në fund, Kryeministri pohoi, se rruga e integrimit të serbëve në kuadër të Kosovës duhet të kalojë nëpërmjet zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës etj etj. Por nëse është e vërtetë edhe kjo, atëherë edhe në këtë drejtim nën këtë qeveri është rrënuar edhe më shumë kjo perspektivë. Nëse i marrim parasysh të dhënat e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP nga lansimi i Analizës së Pulsit Publik “Shqyrtimi i dinamikës së varfërisë së amvisërive përballë inflacionit”, aty shihet qartë se në vend të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies veçanërisht gjatë këtyre dy viteve të fundit nen qeverisjen e Kurtit është thelluar varfëria në Kosovë. Pra në bazë të këtij raporti 26,610 qytetarë janë më të varfër në vitin 2023 krahashuar me vitin 2021. Kshtu16% e banorëve të Kosovës jetojnë me rreth 1.85 euro në ditë. Nëse marrim parasysh të dhënat e vitit 2021 atëherë përqindja e varfërisë është shtuar nga 14.5 % në 16 %.”
Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti, pikërisht për shkak të politikave të tij gjatë kësaj kohe e paska rrënuar edhe atë që e propagandon në forume ndërkombëtare si terapia e vetme për integrimin e serbeve të Kosovës dhe divorcimin e tyre nga hegjemonia e Beogradit. Si shtegdalje u përmend edhe premtimi i prezantuar nga Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leye për rritjen ekonomike të rajonit. Ky plan i miratuar nga Komisioni Evropian parasheh një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Me këtë rast nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale.
Mirëpo, Komisioni Evropian, ia ka bërë të qartë Kosovës se nuk mund të përfitojnë asnjë cent nga këto fonde nëse nuk dëshmon përkushtim në zbatimin e dy marrëveshjeve të sipërcekura, me theks të veçantë themelimin në mënyrë urgjente të Asociacionit. Pra që të pajtohet që as të mos ketë njohje nga Serbia si dhe denormalizim të brendshëm të Kosovës.