Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se një ekip i portalit “Insajderi” është sulmuar të premten, në Vushtrri nga një imam lokal.
Sipas AGK-së, gazetarja Dijellza Preniqi dhe kameramani Albert Bislimi, janë sulmuar në xhaminë “Sheikh Zayed” nga hoxhë Bedri Halili, pasi kishin shkuar të bisedojnë me të për disa deklarata të publikuara online ku dëgjohet të ketë fyer gratë, duke thënë se nuk duhet të organizohen “dasma për k*rva”.
Sipas deklaratës së gazetares Preniqi, me ta kuptuar pyetjen imami Halili e ka sulmuar fizikisht atë.
“Hoxha me një vrull dhe një zë të lartë, më drejtohet duke thënë menjëherë ik nga këtu. Me forcë ma kap krahun më shtrëngon dhe më shtyn në distancë një metër. Më referohet me fjalën njëra prej atyre që po pyet je edhe ti”, ka thënë ajo, duke shtuar se Halili ka tentuar ta godasë me një stol të vogël, edhe pas mbërritjes së policisë në vendin e ngjarjes.
“AGK-ja e konsideron të rëndë dhe të papranueshëm sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve, që ka rrezikuar sigurinë e tyre dhe ka penguar zhvillimin e punës profesionale. Përkundër faktit që sulmi ka vazhduar edhe në prezencë të Policisë, imami është liruar pas intervistimit me urdhër të Prokurorit”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Kjo organizatë tutje i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta trajtojnë me prioritet rastin, dhe që ta mbajnë përgjegjës personin që ka sulmuar fizikisht gazetarët.
/TV Malisheva