Para fillimit të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris, kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me bashkëshorten e tij u pritën si mysafirë nga Presidenti i Francës Emanuel Macron dhe Zonja e Parë e këtij shteti Brigitte Macron në Pallatin Élysée.

Ndërkohë, imazhet e këtij takimi u interpretuan në mënyra të ndryshme nga analistët dhe opinionistët në Kosovë. Gazetari Vehbi Kajtazi më anë të një statusi të shkurt në rrjetin e tij social Facebook, do të shkruante në mënyrë ironike “kadal o Macron se po na han e Zajdenicën” duke aluduar në mënyrën e tyre përshëndetëse dhe në pranimin e draft-statutit për Asociacionin të propozuar nga emisarët perëndimorë.

Ndërkohë, analisti Afrim Kasolli, në një reagim po ashtu ka potencuar se pritja e të parit të Qeverisë së Kosovës nga Presidenti i Francës as që ka mundur të paramendohet pa gatishmërinë dhe vullnetin e Albin Kutit për të themeluar Bashkësinë e komunave me shumicë serbe gjatë takimit që kishte pasur me liderët evropianë Presidentin e Francës Emmanuel Macron, Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Ishte shefi i qeverisë gjermane i cili madje pas këtij takimi që pohoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u kishte premtuar atyre se do ta themelonte Asociacionin, një obligim ky që buron që nga Marrëveshja a parë e vitit 2013 për normalizmin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe që ishte konfirmuar me marrëveshjen e vitit 2015 për themelimin e Bashkisë së komunave me shumicë serbe, por të cilën prej pozicionit të opozitarit,Albin Kurti e kishte kundërshtuar me të gjitha mjetet, duke mos përjashtuar as protestat dhunshme si dhe gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Prandaj, sipas Kasollit, ky takim dhe përqafim “mallëngjyes” në mes presidentit të Francës, Emanuel Macron me Kryeministrin, Albin Kurti nuk kishte ndodhur “as pse i pari i Francës ishte magjepsur nga interpretimi i shefit të Qeverisë së Kosovës për Revolucionin Francez, apo Shkollën Normale Superuriore në Paris, por pikërisht, pse i shefi i Qeverisë së Kosovës, është zotuar dhe betuar para liderëve evropianë se e pranon draft-statutin e Asociacionit si dhe do ta themelojë të njëjtin, pavarësisht faktit se këtë draft e mban të fshehur nga qytetarët e vendit që i drejton”.

Kurse fotografinë e takimit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Presidentin Francës, Emanuel Macron e ka interpretuar edhe gazetari dhe analisti Ilir Mirena. Mirëpo, opinionsiti në fjalë e ka trajtuar këtë pamje nga një këndvështrim tjetër, e që ka të bëjë më prezencën e gruas së të parit të Qeverisë në këtë takim.

Sipas Mirenës, bashkëshorten e Kurtit, qytetarët e Kosovës nuk kanë shansa ta shohin asnjëherë në një ditë të rëndësishme për historinë e Kosovës. As “në Ditën e Pavarësisë, as në Ditën e Çlirimit, as në Epopen e UÇK-së, as në familjet e dëshmorëve, as në familjen Jashari, Rugova a Haradinaj. Nuk e ka pa kush as kohëve të fundit p.sh në një vizitë në familjen e policit tonë të vrarë, Afrim Bunjaku nga terroristët serbë për sulmin në Banjskë. Ajo nuk merr pjesë as nuk zhvillon asnjë aktivitet social a humanitar në vend, aktiviteti i saj i fundit në rajon, që mbahet mend, është përurimi i një libri të saj në gjuhën serbe, në Beograd, në vitin 2021” ka përfunduar Mirena. Dhe kuptohet tash për t’u shfaqur në Pallatin Élysée.

Në fund, duhet kujtuar se ishte pikërisht presidenti francez që kishte kërcënuar nga Tirana, se nëse Kosova nuk e mban fjalën për themelimin e Asociacionit, atëherë ky vend po ashtu mund të mos e mbante fjalën për liberalizmin e vizave për Kosovën që pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024. Prandaj ky përqafim tregon se këto dallime tashmë janë tejkaluar. Dhe lirisht ai mund të quhet si përqafim për fillimin e punës për zbatimin e Zajednicës.

/TV Malisheva

Share.