Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sot është mandatuar për formimin e qeverisë së re.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një konferencë për media tha se, pas një komunikimi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ka mandatuar Hotin për kryeministër.
Thaçi: Sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të ri
“Sot kam marr një letër nga kryetari i LDK përmes së cilës ai konfirmon që i mbështet të gjitha kriteret mbizotëruese për krijimin e qeverisë së re duke përfshirë edhe kriterin e sigurimit të shumicës parlamentare për qeverinë e re, shumicë që mu dëshmua sot faktikisht. Në përputhje me këtë letër, informoj se sapo kam dekretuar Avdullah Hotin për kryeministër të ri”, deklaroi Thaçi.
Presidenti Thaçi theksoi se ditëve në vijim qeveria e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, për të cilën thotë se është në përputhje me Kushtetutën.
Thaçi: Ditëve në vijim qeveria e re votohet në Kuvend
“Ditëve në vijim, një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe rendin demokratik duke marrë parasysh legjitimitetin e deputetëve të Kosovës. Ne si politikanë duhet t’i respektojmë në tërësi procedurat dhe të pajtohemi se pushteti fitohet dhe humbet në bazë të Kushtetutës dhe rendit demokratik. Askush nuk mund të pretendojë që me metoda tjera krejtësisht jodemokratike ta merr, ta mbajë apo ta uzurpojë pushtetin”, tha Thaçi.
I pyetur rreth akuzave të ushtruesit në detyrë të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, Thaçi theksoi se kërcënimet ndaj liderëve politik dhe deputetëve duhet të ndalen. Ndërsa sa i përket vizitës së tij në Tiranë, ai thotë se vizita ka qenë pa asnjë qëllim, por vetëm ‘për qejf’.
Thaçi: Kërcënimet ndaj liderëve politik dhe deputetëve duhet të ndalen
“Kërcënimet, shantazhet ndaj liderëve politik, ndaj deputetëve mendoj se grupi që kanë mbetur në zyrat e qeverisë, duhet t’i ndalë…. Veç për qejf”, tha Thaçi.
Ai është shprehur falënderues ndaj Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, për punën e bërë gjatë pandemisë COVID-19.
Thaçi: Kosova do ta kalojë fazën e rëndë me pandemi
“Jam i bindur që Kosova do të kalojë edhe këtë fazë të rëndë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, edhe njëherë dëshiroj të falënderojë Institutin kombëtar të shëndetësisë publike për punën e mrekullueshme që kanë bërë dhe të njëjtën kohë jam i sigurt që edhe ne politiken Kosovare do të mbizotëroj, arsyeja, përgjithësia institucionale dhe rendi demokratik”, deklaroi Thaçi./Tv Malisheva