Të enjten në Bruksel është mbajtur takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve.
Megjithëse nuk ka pasur takim trelateral, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka takuar ndaras kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Emisari i BE-së, Lajçak ka thënë se diskutimet me të dy kryenegociatorët kanë qenë të frytshme për të bërë përparim në disa çështje.
“Sot kam pritur kryenegociatorët e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për një raund të takimeve të Dialogut në Bruksel. Diskutimet ishin shumë të frytshme për të bërë përparim në një numër të çështjeve në agjendën tonë”, ka shkruar Lajçak në platformën “X”.
Bislimi pas takimit me Lajçakun: Draft-propozimi për Asociacionin nuk ishte pjesë e diskutimeve
Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media, kanë konfirmuar se nuk ka pasur takim trelateral.
Sipas njoftimit, në takim u trajtuan tema të cilat ndërlidhen me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit, Aneksit Implementues të 18 marsit dhe planin e ri për ecjen përpara të 21 tetorit.
“Ky ishte takimi vijues i procesit pas atij të 26 tetorit me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së, ku Republika e Kosovës theksoi qëndrimet e saj si dhe gatishmërinë për nënshkrim dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje bëhet e ditur se “draft-propozimi për zbatim të nenit 7 ndërlidhur me nenin 10 nuk ishte pjesë e diskutimeve, por u ritheksua qëndrimi i kryeministrit Kurti të paraqitur me 26 tetor para liderëve, që nënkupton se ecja tutje duhet bërë në pajtim me parimin se vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe zbatim të marrëveshjeve”.
Ai ka thënë se duhet të ketë nënshkrim të draft-statutit dhe Marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që ato të zbatohen.
“Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”.
I pyetur nëse qëndron deklarimi i zyrtarëve evropianë se draft-statuti i prezantuar është versioni më i mirë që ka pranuar Kosova, Bislimi ka thënë se një qëndrim i tillë është subjektiv, sepse “Kosova nuk ka pasur deri më tani oferta”.
“Kemi pasur drafte që kanë qarkulluar, por mund të themi që drafti që i është dorëzuar Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, gjatë përgatitjes së neneve të veta, ka pasur një kujdes të shtuar për provizionet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës”, duke shtuar se çështja nëse është ai dokument plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës e vendos Gjykata Kushtetuese.
Bislimi ka thënë se në takim është diskutuar edhe për çështje të energjisë, për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, dhe për mbajtje të zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës.
I pyetur nëse do të ketë një takim të radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq deri në fund të vitit, Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur datë konkrete.