Në rrjetet sociale janë duke qarkulluar disa fotografi dhe video me imazhin e biznesmenit, Behgjet Pacolli, kinse ai po ofron para për komentuesit.

Faqja “Fondacioni Behgjet Pacolli”, ka shpërndarë një video duke shkruar “Ju bekoj të gjithëve. 250 personat që thonë (përshëndetje) do t’u jap 10 mijë euro, dhe jam i vërtetë. Që tani e tutje).

Ky postim nuk është bërë nga Pacolli, dhe ka për qëllim vetëm mashtrimin e qytetarëve.

Për këto ka reaguar edhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

Ai në reagimin e tij, ka kërkuar nga njësia e krimeve kibernetike të ndjekin individët që po mashtrojnë dhe manipulojnë qytetarët.

“Ka një kohë që nëpër rrjetet sociale qarkullojnë video të rreme dhe montazhe, të cilat synojnë mashtrimin e qytetarëve. Dua të theksoj se nuk ka asgjë të vërtetë dhe bëj thirrje që të shmangen këto manipulime nga individë me qëllime të këqija që synojnë mashtrimin. Në të njëjtën kohë, bëj thirrje që njësia e krimeve kibernetike të ndjekë individët që po mashtrojnë dhe manipulojnë qytetarët”, thotë ai.

Tutje, Pacolli ka shkruar se “janë dhjetëra faqe në rrjetet sociale që përdorin profile të rreme në emrin tim për qëllime mashtrimi ndaj qytetarëve. Ju lus dhe këshilloj që t’i shmangeni atyre dhe t’i raportoni”.

“Përsëris, kjo është një përpjekje manipulimi dhe asgjë nga ajo që po shpërndahet nuk është e vërtetë”, thotë mes tjerash ai.

/TV Malisheva

Share.