Shkruan: Afrim Kasolli
Ajo që e bënë të veçantë dhe tregon për (mos)cilësitë e një pushteti nuk janë fjalët, retorika dhe as mburrja, por mënyra e veprimit. Prioritet që i përcakton dhe i zbaton. Në këtë mënyrë, karakterin dhe cilësitë e pushtetit aktual në Kosovë, asgjë nuk i pasqyron më mirë se sa qasja e ndryshme ndaj veprimeve ilegale të serbeve të veriut dhe kërkesave për shtesat e rrezikshmërisë së Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Para pak dite, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për buxhet, punë dhe transfere, kryesuesi i bordit të KOSTT-it Jeton Mehmeti dëshmoi se si vetëm për vitin 2022 janë paguar 63.2 milionë euro nga buxheti i shtetit të Kosovës për shpenzimet e rrymës nga serbët e veriut. Kurse, për dy vitet e fundit kjo shumë kap shifrën deri ne 110 milionë euro. Këtë pagesë e ka bërë ekzekutivi nga mjetet e taksapaguesve të Kosovës. Dhe ato transfere janë kryer pa zhurmë, “fshehtas” nga publiku, dhe pa asnjë ankesë publike nga përfaqësuesit e pushtetit. Thuajse ato mjete financiare të ishin paratë e tyre private dhe jo nga arka e të gjithë qytetarëve të shtetit.
Ndërkohë, kur para pak ditë pjesëtaret e Njësisë Speciale të Kosovës kërkuan kthimin e shtesave të tyre të rrezikshmërisë, nuk la i madh e vogël nga ky pushtet pa i denoncuar këto kërkesa. Një “armatë” e tërë politike në krye me ministrin e Punëve të Brendshme dhe Kryeministrin Albin Kurti, thuajse i shpallën ato si plëngprishëse, shprehje e makutërisë së pjesëtarëve të kësaj njësie që nuk kanë konsideratë për rrethanat në të cilat ndodhet shteti, varfërinë dhe mjerimin shoqëror. Madje u përmend sesi të njëjtit i paskan marrë nga 2000 mijë euro rrogë dhe institucionet e shtetërore u kane blerë pajisje të punës deri në 10.000. E ku vetëm dje u mor një vendim për rikthimin e shtesave të rrezikshmërisë.
Nuk ka dyshim se qëllimi i asaj fushate të orkestruar ishte diskreditimi publik i kësaj njësie që ishte më meritorja në përballimin e agresionit paramilitar të grupeve terroriste serbe me 24 shtator. Të cenohet krenaria dhe dinjiteti i tyre në shërbim dhe mbrojtje të atdheut. Që në fund si patriotë të vërtetë nga zyrat dhe kolltukët qeveritarë të mbesin vetëm Xhelal Sveçla dhe Albin Kurti.
Në këtë kontekst, kjo heshtje tinëzare e këtij pushteti për shpenzimin e miliona eurove për shkak të pagesës së rrymës për serbët e veriut dhe zhurma e panevojshme dhe neveritëse që u bë kundër Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, e tregon fytyrën e vërtetë të tij.
Nuk ka propagandë që e mbulon atë.
/TV Malisheva