Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po merr pjesë në punimet e Konferencës së 11-të të kryetarëve të parlamenteve të Shteteve të Evropës Juglindore, me temë diskutimi “Procesi i integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore”, e cila po mbahet në Budapest të Hungarisë.
Në konferencë, shtetet aspiruese për integrim po shkëmbejnë pikëpamje dhe përvoja për procesin integrues, veçanërisht nga këndvështrimi i kontributit të parlamenteve në mbështetjen e agjendës së reformave që shtetet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt BE-së.
Në këtë kontekst kryetari i Kuvendit denoncoi përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator të këtij viti dhe njëherësh i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, thelbi i të cilit normalizim duhet të jetë njohja reciproke si dy subjekte sovrane dhe të pavarura, ashtu edhe siç përcaktohet në Marrëveshjen e Brukselit.
Në vazhdim të fjalës së tij para pjesëmarrësve të kësaj konference kryetari Glauk Konjufca theksoi progresin që Republika e Kosovës ka bërë në procesin integrues, përmes një plani kombëtar reformash integruese, ku Kuvendi i Kosovës ka luajtur rol krucial në miratimin, ndryshimin dhe plotësimin e një game të gjerë ligjesh dhe ristrukturimesh të kuadrit institucional në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Republika e Kosovës e sheh Bashkimin Evropian si një bashkësi politike ku respektohen vlerat demokratike, liritë dhe të drejtat, sovraniteti dhe integriteti territorial i anëtarëve të saj”, theksoi Konjufca.
Në konferencë, përveç delegacioneve të parlamenteve të rajonit, po merr pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si mbështetje për aspiratat euro-integruese të vendeve të Evropës Juglindore që janë në proces integrimi.
/TV Malisheva