Komisioni Evropian edhe këtë vit nuk e ka parë të arsyeshme ta trajtojë fenomenin e sulmeve politike nga ekzekutivi dhe legjislativi ndaj sistemit gjyqësor në vend. E kjo sipas ekspertëve të fushës po konsiderohet e habitshme, teksa shqetësuese përsëritja e një numri të konsiderueshëm të këtyre gjetjeve sa i përket kësaj fushe.
Duke folur për Raportin e KE-së, njohësit e çështjeve të drejtësisë, thonë se Kosova ka bërë përparim të kufizuar në harmonizimin e legjislacionit kosovar me atë të BE-së.
Fakt tjetër shqetësues sipas ekspertëve mbetet luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar, sundimi i ligjit, dhuna në familje dhe pagat e gjyqtarëve e prokurorëve.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësisë, Gzim Shala, shqetësuese e sheh përsëritjen e frazës “Progres i kufizuar”. Duke folur për këtë raport, Shala vë theksin te mungesa e zbatimit të ligjeve dhe në konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
“Ajo çfarë shohin nga Raporti i Progresit është se në një pjesë të konsiderueshme të tij përmendët se ka një progres të kufizuar pra nuk dihet një progres i theksuar apo real mirëpo përsëritet vazhdimisht një frazë e tillë. Në anën tjetër nëse shohim në kuptim të luftimit të korrupsionit përmendet disa prej masave të ndërmarrës siç janë miratimi i ligjeve mirëpo prapë thuhet se ka mungesë dhe sfida në zbatimin e ligjeve në anën tjetër përmendet si problem aspekti i konfiskimit të pasurisë, dënimeve plotësuese të cilat e bëjnë një luftë joefektive në rastin e Kosovës është e çuditshme kjo çështje sepse në disa raporte nuk përmendet kjo ndërhyrja e pushteteve të tjera ndaj sistemit të drejtësisë dhe nuk është shumë e qartë”, u shpreh Shala.
Shala e sheh absurde deklarimet e akterëve politik ndaj sistemit të drejtësisë, për të cilën thotë se çuditërisht nuk janë përmendur në këtë raport. Thotë se këto ndërhyrje do të evitoheshin në një shtet ku sundon ligji.
“Vetëm në një pjesë raporti thotë se institucionet e sistemit të drejtësisë duhen të kenë një reagim adekuat në rastet kur ka ndërhyrje ndaj tyre mirëpo nuk përmend specifikisht këto, ndërsa ajo çfarë ndodhë në praktikë është problematike për faktin se shohin vazhdimisht deklarime të akterëve politik, deputetëve ndaj ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë dhe për më tepër ka deklarime edhe për raste specifike të cilat kanë në punë dhe në një vend ku sundon ligji nuk mund të paramendohen situata të tilla që paraqesin ndërhyrje në drejtësi mirëpo nuk e dimë pse dhe është e çuditshme në mënyrë specifike ky raport nuk është trajtuar këtë çështje”, thotë Shala.
Ndërsa avokati Ardian Bajraktari, shqetësuese e sheh faktin se një numër i madh i gjetjeve janë të përsëritshme, teksa sfidë e sheh çështjen e mungesës dhe zbatimit të plotë të ligjeve.
“Në fushën e drejtësisë është për keqardhje përsëritja e një numri të konsiderueshëm të gjetjeve sa i përket kësaj fushe dhe e përbashkëta e raportit të progresit për këtë vit dhe jo vetëm është mungesa e zbatimit të ligjit në mënyrë të duhur sepse është tashmë e konstatuar që Kosova ka një legjislacion mjaftë të avancuar mirëpo sfidë akoma mbetët çështja e mungesës dhe zbatimit jo të plotë të ligjeve dhe nëse i referohemi vlerësimit mashkullor unë do ta vlerësoja në mes të vlerësimit të dobët apo mjaftueshëm gjë e cila tregon që stadin në të cilin ndodhemi ne si vend dhe faktin që kemi ende shumë punë në rrugën tonë euro-integrues”, thotë Bajraktari.
Duke folur për këtë Raport për vendin, Bajraktari thotë se ka mungesë të zbatimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ndërsa e konsideron të habitshme faktin se as këtë vit nuk janë përmendur ndërhyrjet.
“Është për habi se si qasja e eksponentëve të caktuar të politikës në raport me sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, sulmet, etiketimet dhe përmendja dhe theksimi i emrave të përvitshëm të gjyqtareve dhe prokurorët të cilët janë marrur me raste specifike nuk janë cituar në Raportin e Progresit dhe në bindjen time janë tendenca të qarta për të interferuar në punën e sistemit gjyqësor por nuk e di pse të njëjtat nuk janë përfshire si rekomandime për institucionet e kategorisë kushtetuese që të rezervohen nga deklarimet e tilla sepse këto nënkuptojnë minimin e proceseve gjyqësore dhe rrjedhimisht edhe besimin e publikut në punën e gjyqësorit”, u shpreh Bajraktari.
/TV Malisheva