Shkruan: Ardian Bajraktari- Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, është nga institucionet më jo transparente.

Përveç mungesës së transparencës jo vetëm të punës së saj, por edhe të proceseve gjyqësore që zhvillohen në këtë gjykatë, ajo jo rrallë herë ka ndërmarrë edhe veprime, të natyrës kufizuese, pa dhënë as më të voglin sqarim për publikun, e që këtij të fundit i është dhënë mundësia madje edhe e drejta për aludime nga më të ndryshmet, përfshirë edhe atë se kujt i shërben kjo gjykatë.

Në këtë funksion shkojnë edhe kufizimet e fundit në raport me vizitat dhe thirrjet telefonike, për të paraburgosurit për qellime dhe efekte procedurale për çlirimtarët tanë, duke mos dhënë sqarime as minimale në lidhje me këto masa.

Rregulla 56, 6. e Rregullores së Procedurës dhe e Provave, përcakton:

(6) Pa cenuar nenin 21 (4) (c) të Ligjit, në bazë të një  kërkese ose proprio motu, dhe me qëllim mbrojtjen e dëshmitarëve apo viktimave, të informacionit konfidencial apo të integritetit të procesit, paneli mund të nxjerrë vendim lidhur me kushtet e paraburgimit dhe çështjet që kanë lidhje me paraburgimin, ndë të tjera vendim mbi percaktimin e kufizimeve të nevojshme dhe proporcionale mbi komunikimet e të paraburgosurit.

Kjo dispozitë si e tillë është shumë e përgjithësuar, dhe lë hapësira të mëdha për interpretime, e në mungesë të sqarimeve, na jepet e drejta edhe për aludime, se organi i akuzës po vazhdon të pësojë debakël nga pala mbrojtëse, prandaj edhe mund të kemi masa të tilla.

Ndërsa neni 21.4 (c), i Ligjit, përcakton se i akuzuari gëzon të drejtën e garancive minimale të mëposhtme, me barazi të plotë që: (c) të ketë kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij dhe të komunikojë me Mbrojtësin e Specializuar të zgjedhur prej tij.

/TV Malisheva

Share.