Kombëtarja e Zvicrës siguroi mbrëmë kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, pas barazimit 1:1 me Kosovën.
“Helvetikëve” u mjaftoi një pikë për të prerë biletën për në Gjermani, teksa tani në xhiron e fundit mund të synojnë pozitën e parë në Grupin I, pasi do të takohen me liderët e grupit, Rumaninë.
Edhe një herë tjetër ishte kapiteni Granit Xhaka, që mori kritika nga zviceranët për paraqitjen.
Mesfushori nga Kosova luajti për 90 minuta mbrëmë. Nga lexuesit e “Blick”, ai u zgjodh si lojtari me përformancën më të dobët.
“Xhaka ishte njeriu i 12-të për kosovarët”, shkroi lexuesja Hanni Bernasconi. “Të paktën dy herë ai thjesht qëndroi në vend dhe i dha mundësi kundërshtarit, një paraqitje shumë e dobët.” Ajo nuk është e vetme me këtë mendim.
Mediumi zviceran zbuloi se 41% e zgjodhën Xhakën si lojtarin më të dobët në takimin e së shtunës.
Ruben Vargas, autori i golit të vetëm për Zvicrën, u zgjodh si lojtari më i mirë nga tifozët, me 59% të votuesve pro tij.
/TV Malisheva