Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Gjilan është dëmtuar një bankomat i bankës “TEB”.
Nga policia e Gjilanit i kanë thënë Insajderit se persona të panjohur të maskuar dhe të armatosur, kanë shpërthyer bankomatin me eksploziv.
“Me datën 20.11.2023 rreth orës 05:22 jemi njoftuar se në rrugën ‘’Isuf Kika’’ në qytetin e Gjilanit, persona të panjohur për momentin, të maskuar dhe të armatosur, me mjet eksploziv kanë shpërthyer një bankomat të një banke komerciale”, ka thënë Valon Osmani nga policia rajonale e Gjilanit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore relevante, njësiti i hetimeve rajonale, krime teknika dhe njësiti për menaxhim të eksplozivëve nga Policia e Kosovës.
Përpos dëmeve materiale në bankomat lëndime trupore nuk ka pësuar askush nga ky rast. Në bazë të hetimeve të para të dyshuarit nga ky rast kanë arritur që të largohen në drejtim të panjohur për momentin pa arritur që të kryejnë vjedhjen.
“Rrethanat e rastit po hetohen nga ana e hetuesve policor në koordinim me prokurorin e shtetit, rasti i cili nga prokurori i shtetit është cilësuar ‘’Vjedhje e rëndë në tentativë’’ dhe ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
/TV Malisheva