Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Shkup në takimin e liderëve të pesë vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore.

Në një prononcim për median para konferencës Rama uroi në shqip shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për ditën e bekuar të alfabetit.

Rama tha se ky takim vjen në një moment kur krizat rrezikojnë drejtpërdrejtë rajonin ndaj të gjithë duhet të përqendrohemi tek mbrojtja dhe ruajtja e stabilitetit.

“Së pari, dëshiroj që në gjuhën shqipe t’u uroj shqiptarëve, këtu në Maqedoninë e Veriut ditën e bekuar të alfabetit. Konferenca mblidhet në një moment jo të lehtë për të gjithë. Në një moment luftërash dhe krizash të rënda që kanë potencialin të rrezikojnë dhe rajonin tonë. Në një moment kur këtu në rajon të gjithë duhet të fokusohemi tek mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur që është jo pak, një paqe e brishtë, por sidoqoftë një paqe dhe të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare dhe të qëndrueshme”, theksoi Rama.

/TV Malisheva

Share.